Hamasi pranon vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një armëpushim në luftën në Gaza dhe është i gatshëm të negociojë detajet e zbatimit, tha për Reuters sot Sami Abu Zohri, një zyrtar i grupit islamik, duke shtuar se i takon Uashingtonit të sigurojë që Izraeli do ta respektojë atë.
Hamasi pranon vendimin e Këshillit të Sigurimit për armëpushimin, tërheqjen e forcave izraelite dhe shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve palestinezë, sqaroi ai.
“Qeveria amerikane po përballet me një provë të vërtetë të përmbushjes së angazhimeve të saj. Ajo ka detyrimin të detyrojë forcat pushtuese që menjëherë t’i japin fund luftës në përputhje me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, shtoi Sami Abu Zohri.
Më herët, Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i cili është në një turne të ri në rajon për të promovuar planin e armëpushimit, tha nga Tel Avivi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte përsëritur angazhimin e tij për një armëpushim në Gaza, ndërsa e quajti njoftimin e Hamasit në favor të vendimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së një “mesazh inkurajues”
Në të njëjtën kohë, tha se diskutimet për të ardhmen e enklavës palestineze pas zbatimit të armëpushimit do të vazhdojnë sot dhe në ditët në vijim. /vizionplus.tv