Dy muaj para zgjedhjeve presidenciale në SHBA , Kamala Harris dhe Donald Trump janë angazhuar në një garë për të tërhequr votues të rinj, pasi një sondazh i ri i tregon ata “kokë më kokë” në të paktën tre shtete kyçe.
Një sondazh i publikuar nga CNN konfirmon se, siç ndodh shpesh në zgjedhjet presidenciale amerikane, rezultati do të vendoset në disa shtete dhe nga disa mijëra votues.
Luftë e ashpër në Nevada, Gjeorgji dhe Pensilvani
Sipas saj, Harris dhe Trump aktualisht po luftojnë kokë më kokë në Nevada, Gjeorgji dhe Pensilvani. Në fund të fundit, duket se Pensilvania do të jetë ajo që do të vendosë fituesin.
Trump vizitoi edhe një herë këtë shtet, konkretisht kryeqytetin e Harrisburgut, të mërkurën, për një intervistë gjatë së cilës mori pyetje nga publiku dhe e cila u moderua nga Sean Hannity.
Nga ana e saj, Harris ishte dje në Neë Hampshire dhe e fokusoi vizitën e saj në bizneset e vogla dhe të mesme. Në këtë shtet, i cili zakonisht voton demokratët, zëvendëspresidentja amerikane shkoi në një biznes birre të themeluar nga dy gra.
Rreziku për Kamala Harris
Harris, të cilën Trump e ka quajtur “komuniste”, po përpiqet të ndërtojë një profil të një kandidateje pro të klasës së mesme dhe punëtore kundër kundërshtarit të saj, i cili është kritikuar për përpjekjen për të mbrojtur korporatat e pasura dhe shumëkombëshe.
Pas një nxitjeje të madhe në kandidaturën e saj pas daljes së papritur të Joe Biden nga gara dhe Konventës Kombëtare Demokratike, nënpresidentja rrezikon të shohë “fundosjen” e fushatës së saj.
Shumë kolumnistë të njohur të gazetave, të cilët priren të favorizojnë demokratët, i kanë kërkuar ditëve të fundit të prezantojë planet e saj për vendin, kryesisht duke pasur parasysh se nuk ka dhënë përgjigje thelbësore në intervistën e shumëpritur që dha javën e kaluar.
“Muaji i mjaltit ka mbaruar (për Kamala Harris)”, tha Trump, i cili gjithashtu ka humbur epërsinë që kishte në korrik në sondazhe.
Gjithashtu, industria historike amerikane e çelikut US Steel u konfirmua si basti i madh i zgjedhjeve: sipas shtypit, Presidenti Biden është gati të bllokojë blerjen e saj nga konkurrenti japonez Nippon Steel.
15% të pavendosur në shtetet kyçe
Në një sondazh të publikuar dje nga revista Economist, Harris ka 47% të synimit të votës kombëtare, krahasuar me 45% për Trump.
Megjithatë, 78-vjeçari këmbëngul: “ajo është marksiste, do të na shkatërrojë vendin”, theksoi sërish dje.
Sipas sondazhit të CNN, rreth 15% e votuesve në shtetet kyçe mbeten të pavendosur.
Kandidati demokrat planifikon të vizitojë sot Pensilvaninë, shtëpinë e US Steel./vizionplus.tv