Finlanda ka raportuar se mijëra emigrantë nga vendet e treta presin të kalojnë në territorin e saj nga kufiri me Rusinë.
Helsinki mbylli të gjitha pikat kufitare në kufirin e tij prej 1,340 km me Rusinë në fund të vitit 2023 pasi mbërritjet e emigrantëve pa dokumente që kërkonin të kalonin në Bashkimin Evropian u rritën. Finlanda akuzon Moskën për shtyrjen e emigrantëve përtej kufijve të saj, gjë që Kremlini e mohon.
“Ne kemi informacione se mijëra njerëz nga pala ruse presin të kalojnë në Finlandë,” tha Ministrja e Brendshme, Marie Radtanen në një konferencë për shtyp të martën.
Radtanen nuk pranoi të specifikojë se si autoritetet finlandeze e morën informacionin.
Në dimër, zona kufitare është e mbuluar me borë të dendur dhe mbizotërojnë temperaturat polare, por Radtanen tha se më shumë emigrantë mund të kërkojnë të kalojnë ilegalisht kur të vijë pranvera dhe temperaturat të rriten gradualisht. Ajo vuri në dukje se legjislacioni ekzistues evropian nuk ofron zgjidhje për trajtimin e situatave si ajo me të cilën përballet Finlanda.
Sipas rojes kufitare finlandeze, më shumë se 1,300 azilkërkues nga vende të tilla si Jemeni, Somalia dhe Siria kaluan në vend nga Rusia midis gushtit dhe dhjetorit./vizionplus.tv/