Buxheti 2024 u ndryshua për herë të dytë me një akt normativ i cili rrit të ardhurat me rreth 27,2 miliardë lekë dhe po kaq shpenzimet. Deficiti buxhetor u la i pandryshuar.
Sipas tabelave që shoqërojnë ndryshimet pjesa më e madhe e shtesës prej rreth 6.6 miliardë lekë shkojnë si shtesë për buxhetin e ministrisë së infrastrukturës i cili arriti pas ndryshimeve në 74,3 miliardë lekë nga 67.7 miliardë lekë.
E gjithë shtesë ka shkuar për programin e transportit rrugor i cili u rrit me 6,6 miliardë lekë ose 65 milionë euro. Fondet për këtë program me ndryshimet e reja arrijnë në 33 miliardë lekë nga 26 miliardë lekë që ishin në buxhetin aktual.
Një shtesë prej 600 milionë lekësh akordohet në zërin “Shpenzime kapitale” në programin “Menaxhimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes” të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Me to do të financohen objekte, pajisje dhe makineri të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, si dhe veprave të mbrojtjes nga përmbytja për bashkitë.
Një fond prej 500 milionë lekësh shtohet në programin buxhetor “Zhvillimi rural, duke mbështetur prodhimin bujqësor, blegtoral, agroindustrinë dhe marketingun” përdoret për skemën e mbështetjes me grante për investime në ferma, në vlerën e plotë prej 1.5 milionë lekësh, që financohet edhe në vitet e ardhshme buxhetore.”.
Një shtesë prej 150 milionë lekësh shkon për programin “Zhvillimi i sportit” të ministrisë përgjegjëse për sportin përdoret sipas përcaktimeve të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.”
Fondi për indeksimin e pensioneve është parashikuar 4,137 milionë lekë dhe bonusi i pensionistëve 3,650 milionë lekë. Ky fond ndahet midis skemave, sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Nga fondi i papërdorur i shpronësimeve në llogarinë e Bankës së Shqipërisë shuma prej 8 000 milionë lekësh derdhet në buxhet, si e ardhur jotatimore.
Sipas Monitor