Fundjava do të jetë me temperatura shumë të larta.
Sinoptikanja Lajda Porja ishte e ftuar në emisionin “7pa5” në Vizion Plus ku bëri me dije se termometri të shtunë dhe të dielë do të shënojë 42 gradë në hije.
Përveç temperaturave të larta, prezent do të jetë edhe hiri saharian, çka do të bëjë që i nxehti të ndihet edhe më tepër.
“Sot do të jemi në temperatura 38-39 gradë. Do të ketë vlera 40 gradë Tirana, Fieri, në Elbasan 41 gradë dhe në Gjirokastër 41 gradë. Ndërkohë që pjesa tjetër e territorit luhatetr nga 37-39 gradë.
Përsa i përket vijës së bregdetit është pak më freskët. Nga Velipoja deri në Sarandë e Ksamil, termometri do shënojë 37-39 gradë, ndërsa në zonat malore, temperaturat do të jenë në veri lindje. Kukësi dhe Hasi do jenë me temperaturat 38-39 gradë dhe pak më freskët nëse mund ta quajmë kështu, do të jetë zona e juglindjes, qarku i Korçës, ku temperaturat do të regjistrohen 36 gradë celcius.
Rënia që presim sot në mesditë do të rritet nesër. E shtuna do të shënojë sërish 42 gradë dhe parashikohet që edhe dita e dielë të mos ketë ndryshim.
Qarku i Gjirokastrës dhe Beratit do të shënohen temperaturat 42 gradë këtë fundjavë. Parashikohet që moti të jetë i kthjellët, por hiri i Saharasë do të jetë prezent dhe qielli nuk do të duket i pastër. Do ketë vranësira të lehta dhe kalimtare. Janë rritur ndjeshëm vlerat minimale, ku mëngjeset janë shumë të nxehta”, tha Porja.
Ajo shtoi se prej disa ditësh vala e nxehtë afrikane ka përfshirë Ballkanin dhe Shqipërinë, edhe pse dita e sotme ka sjellë një rënie shumë të lehtë, do thoja të pandjeshme 0.5-1 gradë në të gjithë territorin shqiptar, pasi dita e enjte shënoi temperatura mjaft të larta, 42 gradë maksimumi në rang territori. Madje ka pasur temperatura të larta në Koplik, në Shkodër. Temperatura mjaft të larta janë shënuar ditën e djeshme në qarkun e Elbasanit, Beratit dhe Gjirokastrës./vizionplus.tv