Irena Sufaj në verifikim nga ILD, prokurorja e Lezhës ndryshoi kualifikimin ligjor të veprës penale

5 months ago 24

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka nisur verifikimet ndaj prokurores së Lezhës Irena Sufaj, me dyshimin se ka shkelur ligjin.

Sipas burimeve bëhet fjalë për një procedim penal të goditjes për shkak të detyres të një punonjësi gjykate, ngjarje e ndodhur në muajin tetor të vitit 2023.

Për rastin në fjalë një ditë para përfundimit të afatit të hetimeve prokurorja e Lezhës Irena Sufaj, ka vendosur ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale nga “Goditja për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal, në nenin 90 i Kodit Penal “Dëmtime të tjera me dashje” dhe në kundërshtim me ligjin këtë vendim prokurorja nuk ja ka komunikuar viktimës së veprës penale.

Po ashtu një ditë pasi kishte ndryshuar cilësimin juridik të veprës penale dhe pa ja komunikuar këtë vendim viktimës, prokurorja ka përfunduar hetimet dhe njëkohësisht ka vendosur pushimin e çështjes për autorin e ngjarjes.

Referuar ligjit procedural penal, për ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale organi  i akuzes me marrjen e vendimit duhej të vinte në dijeni viktimën, dhe për të drejtën e njohjes me aktin si dhe sipas rastit, për të paraqitur ankim në Gjykatë, por kjo nuk ka ndodhur në rastin në fjalë.

Për këtë arsye, ky procedim penal dhe këto vendimarrje të prokurores Irena Sufaj janë bërë objekt verifikimi nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë.

Ndërkohë ky vendim është ankimuar nga i dëmtuari në gjykatë dhe pavarësisht se kanë kaluar më shumë se dy muaj ende nuk është caktuar data e zhvillimit të seances gjyqësore, duke tejkaluar çdo afat ligjor./vizionplus.tv

Read Entire Article