“Dy njerëz që duhen duhet të kuptohen me njëri-tjetrin, apo jo?”, është një nga frazat më të njohura të filmit “Hije që mbeten pas”. Shiriti i kthyer i tij është një moment reflektimi mbi dashurinë për Eva Alikajn në studion e “Rudinës” në Tv Klan.
Aktorja rrëfeu të vetmen herë që i ka thënë dikujt se e dashuron dhe kujton mirë efektin e fjalëve të saj te ai njeri. Por sot, a i përket dikujt zemra e saj?
Eva Alikaj: Nuk është gjithmonë ajo fraza, nuk ndodh që dy njerëz që duhen, duhet të kuptohen me njëri-tjetrin. Unë nuk jam kuptuar kur kam dashur, ma merr mendja edhe shumë njerëz të tjerë… ndodh. Përkufizimi i dashurisë… Unë nuk jam shumë në të shprehur… shumë romantike. Di që kam thënë vetëm një herë, i kam thënë dikujt që “unë të dashuroj ty” dhe pashë te ai njeri… se ç’ndodhi dhe kam përshtypjen që aty ka qenë një moment që atë personin tjetër e kam rrëzuar. Aty kuptova forcën e asaj që thashë sepse vërtet isha e dashuruar. E kam thënë këtë në një kohë që nuk thuhej dhe unë isha e ndrojtur, nuk është se lëshoja fjalë, nuk jam ekstroverte, unë jam introverte por këtë e thashë sepse ishte një gjë e brendshme që duhet ta thoja dhe ishte shumë e bukur saqë mendova uau si e paskam thënë kështu!
Rudina Magjistari: Ndoshta është kjo, momenti kur s’arrin dot t’i shpjegosh gjërat është pikërisht ky bllokimi ndoshta për t’u shprehur dhe ndjenja është shumë e fortë.
Eva Alikaj: Jo po drita te ai tjetri, u bë si me ngjyra, thashë “uau!” Si duket ai ka qenë momenti që ai personi nuk i shpëtoi ndjenjës. Është bukur të duash.
Rudina Magjistari: Aktualisht, sot që flasim je e dashuruar?
Eva Alikaj: Po thashë “jo” do të më shkruajnë shumë në Facebook.
/a.r