Katër vrasës në atentatin mafioz, policia shoqëron Safet Bajrin, detajet nga masakra në Shkodër

2 hours ago 17

4 autorë dyshohet se morën pjesë në atentatin që i mori jetën 23-vjeçarit Hamza Lici dhe 32-vjeçarit Arlind Bushati pasditen e së mërkurës në Dobraç të Shkodrës.

Në makinën tip “Land Rover” që u gjet e shkrumbuar në fshatin Golem, vetëm 5 km larg vendit të atentatit, sipas burimeve policore gjendeshin 3 persona, shoferi dhe dy qitës që qëlluan me breshëri kallashnikovi.

Ndërsa personi i katërt i ka pritur në zonën ku është djegur automjeti, duke i ndihmuar të largohen.

Për ngjarjen e rëndë në komisariatin e Shkodrës u shoqëruan mbi 20 persona, mes tyre edhe Safet Bajri. Ky i fundit qëndroi rreth 2 orë në polici dhe mësohet se mohoi të ketë lidhje me atentatin, duke deklaruar se ishte në banesë me familjen.

Sipas tij, shtëpia është e monitoruar me kamera dhe e vërteton një fakt të tillë.

Ndërkohë, agjentët janë rikthyer sot në vendin e krimit për të siguruar të tjera prova të vlefshme për hetimin. Ekspertët po bëjnë verifikimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë, ndërsa 3 pistoleta që u gjetën në makinën e viktimave si dhe dy kallashnikov të djegur në mjetin e autorëve, janë dërguar për ekzaminim në laboratorin e kriminalistikës.

Në atentatin mafioz ndaj Hamza Licit dhe Arlind Bushatit humbi jetën edhe një grua e pafajshme, 56-vjeçarja Flutura Basha, ndërsa u plagos rëndë bashkëshorti 67 vjeçar Bashkim Basha që vijon të jetë në gjendje kritike për jetën.

Deri më tani, pista kryesore ku janë përqendruar hetuesit është ajo e hakmarrjes për shkak të konfliktit të gjatë mes familjes Lici dhe Bajri. Paraprakisht besohet se shënjestër e sulmit ishte Hamza Lici, por pak javë më parë edhe Arlind Bushati, i shpëtoi një atentati në qendër të qytetit, ku dy persona të maskuar dhe me motoçikletë i drejtuan armën babait të dy fëmijëve, ndërsa ndodhej në një lokal. /vizionplus.tv

Read Entire Article