Komanda Rajonale në perëndim e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO ka përfunduar sot stërvitjen “Platinum Sabre 2024” në afërsi të aeroportit të Gjakovës.
Në stërvitje kanë marrë pjesë disa njësi të KFOR-it, duke përfshirë Batalionin Rezervë Operacional të Turqisë, Batalionin e Aviacionit dhe Batalionin e Vëzhgimit dhe Zbulimit të Inteligjencës.
Gjatë kësaj stërvitje u kryen aktivitete të ndryshme të përbashkëta, duke përfshirë kordonin dhe kërkimin, procedurat e evakuimit mjekësor dhe menaxhimin e hapësirës ajrore.
“Përfundimi i stërvitjes “Platinum Sabre 2024” paraqet një arritje të rëndësishme në përpjekjet tona të qëndrueshme për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, falë përkushtimit dhe profesionalizmit të shkëlqyer të treguar nga të gjithë pjesëmarrësit”, tha komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş.