Kosova synon surprizën në Rumani, frikë për përsëritjen e incidenteve nga tifozët vendas në Bukuresht

1 day ago 24

Kosova do të luajë kundër Rumanisë të premten në duelin e parafundit të ligës së kombeve sa i takon grupit C2.

Dardanët janë të dytët në klasifikim me 9 pikë, pikërisht poshtë Rumanisë e cila ka 3 pikë më shumë.

Diferencën e ka bërë deri tani ndeshja e parë mes këtyre dy ekipeve në Prishtinë, ku rumunët fituan 3 me 0.

Kësisoj tashmë ndeshja e të premtes në Bukuresht bëhet vendimtare për të besuarit e trajnerit Franko Foda, pasi Lituania që konsiderohet një kundërshtar i kalueshëm është rivali i fundit për dardanët në datë 18 nëntor.

Trajneri gjerman nuk ka problem domethënëse në organikë, ndërsa risia më e madhe e këtij grumbullimi ka qenë talenti që luan për Dinamon në superioren shqiptare, Zabergja.

Veç vëmendjes tek aspekti sportivë, ku Kosova kërkon të bëjë surprizën e madhe, shqetësim serioz sidomos për autoritetet vendase është sjellja e tifozëve në stadiumin kombëtar të Bukureshtit.

Ekziston frika se mund të përsëriten tensionet e shtatorit të vitit 2023, kur në duelin e luajtur në Bukuresht mes këtyre dy ekipeve, tifozët rumunë shfaqën parulla dhe kore kundër Kosovës, gjë e cila solli edhe ndërprerjen e ndeshjes për afro 40 minuta, aq më tepër që rumunët mund të hakmerren edhe për vërshëllimat e himnit të tyre në stadiumin Fadik Vokrri në 7 shtator  në Prishtinë./vizionplus.tv

Read Entire Article