Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama, i cili sot ndodhet në Prishtinë, në kuadër të 25 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës.
Osmani dhe Rama kanë zhvilluar një takim në presidencë.
“Bashkë, për t’i shënuar momentet më të rëndësishme të historisë së popullit tonë! Mirë se erdhe Kryeministër Rama!”, shkruan Osamni në rrjete sociale.
Gjithashtu e para e vendit në Kosovë ka pritur në takim ish-kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair.
Pas takimit me Osmanin, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, dedikuar këtij përvjetori, që mbahet në nderim të trashëgimisë politike të Presidentit Rugova, si dhe të vendeve aleate, të cilat patën një rol thelbësor gjatë viteve të luftës në Kosovë.
Kryeministri Rama do t’i adresohet një prej paneleve të Konferencës, ku do të jetë së bashku me personalitete ndërkombëtare të mirënjohur për kontributin e tyre politik në periudhën e luftës, mes të cilëve ish Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair dhe ish Kryeministri Italian Massimo D’Alema.
Në vijim të agjendës, Kryeministri Rama do të mikpritet nga Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, ku në një ceremoni të posaçme do të nderohet me Çelësin e Qytetit.
Ndër të tjera, Kryeministri Rama do të marrë pjesë edhe në çeljen e ekspozitës së veçantë “Reporting House”, një retrospektivë e fuqishme e mediave gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ku përmes artefakteve të gazetarëve dhe veprave të artistëve, vizitorët do të njihen me historinë e luftës së viteve 1998-1999 dhe ndikimin e saj në dekadat që pasuan./vizionplus.tv