Kumbaro: Do ashpërsohen gjobat për këdo që ndot mjedisin, këto do jenë 5 ndryshimet në ligje

4 months ago 21

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka paralajmëruar ashpërsim të gjobave për këdo që ndot mjedisin. Ajo shtoi se këto masa do të kthehen në titull ekzekutiv.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Kumbaro prezantoi ndryshimet në pesë ligje ekzistuese në fushën e mjedisit, biodiversitetit, menaxhimit të integruar të mbetjeve dhe cilësisë së ajrit.

“Ndryshimet në këto pesë ligje bashkohen në dy ndryshimet thelbësore: ashpërsimi i gjobave me 30% krahasuar me ligjet aktuale dhe ndryshimi i natyrës juridike të sanksioneve kundrejt kundravajtjeve të kryera në dëm të mjedisit. Procesi i ekzekutimit të gjobave aktualisht vështirësohet për shkak të ankimimit administrativ dhe gjyqësor duke zgjatur shumë procesin dhe duke humbur qëllimin për të cilin vendoset gjoba. Prandaj masat administrative kthehen në titull ekzekutiv”, tha Kumbaro.

Ministrja iu referua të dhënave nga procesi i këshillimit kombëtar, ku qytetarët kërkonin në masë dërrmuese ashpërsimin e gjobave për kundravajtjet ligjore.

Në fund të fjalës, Ministrja solli në vëmendje edhe një direktivë të re të Bashkimit Europian, e cila i konsideron kundravajtjet ligjore të natyrës penale.

Këto propozime të qeverisë përputhen edhe me daljen e freskët të një direktive të re europiane, 2024-12-03 e Parlamentit Europian dhe Këshillit Europian përmes së cilët u kërkohen vendeve të BE që masat administrative në kundravajtjet e mjedisit, t’u shtohen sanksione penale të qenësishme me ndëshkime domethënëse të natyrës penale. Ndryshimet që ne propozojmë nuk janë të natyrës penale, por e sjell në vëmendje për të theksuar rreshtimin e qasjes sonë me atë europiane kur bëhet fjalë për ndotjen ndaj mjedisit”, përfundoi ministrja Mirela Kumbaro.

Ndryshimet u referohen 5 ligjeve në fushën e mjedisit siç janë ligji “Për Mbrojtjen e Mjedisit”, ligji “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedist”,  ligji “Për Mbrojtjen e Biodiversitetit”, ligji “Për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis” dhe ligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”./vizionplus.tv

Read Entire Article