Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja, Vjosa Osmani kanë uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Kurti në llogarinë e tij “Facebook” shkruan se kjo festë është edhe si kujtesë për vlerat sakrificës dhe devotshmërisë.
Nga ana tjetër, presidentja Osmani ka uruar që festa e Kurban Bajramit të sjellë gëzim, paqe dhe begati në familjet e gjithsecilit.
“Me fat Bajrami!
Gëzuar kjo festë që është edhe kujtesë për vlerat e sakrificës dhe devotshmërisë. Për të qenë falënderues për bekimet tona dhe për t’i ndarë me ata që kanë më shumë nevojë.
Për më shumë mirësi ndaj njëri-tjetrit, bujari e kujdes për të gjithë, e përbashkim rreth thirrjes për vepra të mira.
Me zemra të hapura dhe duar të zgjatura njëri-tjetrit, në këtë Kurban Bajram, le të ndajmë gëzimin me të gjithë ata që na rrethojnë. Le të jemi zemërgjerë, jo vetëm me të mirat materiale, por edhe me kohën, dashurinë dhe mbështetjen tonë.
U shtoftë solidariteti ndër ne. Sakrifica e dëlirë u bëftë shpërblim për më të mirën në ne”, shkruan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Festa e Kurban Bajramit na bashkon duke na kujtuar vlerat më të mira të njerëzimit. Në këtë ditë të bekuar, hapim jo vetëm dyert e shtëpive, por edhe zemrat tona për të ndarë diçka nga vetja me ata që kanë nevojë.
Uroj që shtëpitë tuaja të jenë të mbushura me gëzim, dashuri, mirëkuptim dhe tolerancë në këtë ditë feste.
Me fat festa e Kurban Bajramit”, shkruan Vjosa Osmani. /vizionplus.tv