Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ndodhet sot në Estoni në vijim të vizitave shtetërore që ka ndërmarrë në Republikat Baltike.
Ai u prit me një ceremoni shtetërore në pallatin presidencial Kadriorg në Talin nga homologu estonez, Sh. T. Z. Alar Karis, me të cilin zhvilloi takimin kokë më kokë dhe më pas atë me praninë e delegacioneve përkatëse.
Forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, finalizimi i procesit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, zgjerimi i Unionit në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi për sigurinë kibernetike, Ukraina dhe reagimi kundër agresionit rus, ishin në fokus të bisedës në takimin kokë më kokë mes Presidentëve të dy shteteve.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, shprehu besimin se kjo vizitë do të rrisë bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, si: turizmi, energjetika, siguria kibernetike, shërbimet elektronike dhe në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit.
Kreu i Shtetit e konsideroi lajm të mirë vendosjen e linjës së re të përhershme Air Baltik midis Talin dhe Tiranës.
“Linja direkte shkurton distancën, rrit shkëmbimet ekonomike, turizmin dhe afron më shumë dy popujt”, – vlerësoi Presidenti Begaj.
Veç mundësive për rritjen e turizmit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, theksoi faktin se mes dy shteteve ka ende hapësira për rritjen e investimeve estoneze në Shqipëri, si në energji, bujqësi, në fushën e teknologjisë së informacionit dhe në atë kibernetike.
Në takim u vlerësua ndihma estoneze ndaj Shqipërisë përballë pasojave nga sulmi kibernetik i vitit 2022 dhe, në këtë aspekt, Presidenti Begaj theksoi se ky bashkëpunim mund të thellohet përmes akademisë estoneze për trajtimin dhe kualifikimin e të rinjve shqiptarë në fushën kibernetike. Si dy vende në NATO, Shqipëria dhe Estonia janë të përkushtuara të avancojnë agjendën e bashkëpunimit për mbrojtjen kombëtare dhe hapësirën e përbashkët kibernetike.
Për sa i përket procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Presidenti Begaj i shprehu Presidentit Alar Karis mirënjohje për mbështetjen, ndërsa kërkoi që Estonia të jetë më prezente në Shqipëri me ekspertizën e saj për integrimin, si një shtet në pararojë në Bashkimin Evropian për reformën administrative.
“Shqipëria është pjesë e Evropës, theksoi Presidenti Begaj, duke nënvizuar reformat në të mirë të qytetarëve, të cilat do të mundësojnë finalizimin sa më shpejt të anëtarësimit në Union”, – u shpreh Presidenti Begaj.
Një tjetër sfidë për vendet e Ballkanit Perëndimor është përballja me influencën ruse pas agresionit në Ukrainë. Presidenti i Shqipërisë i shprehu Presidentit të Estonisë falënderim për mbështetjen ndaj Kosovës në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në strukturat Euroatlantike dhe organizatat ndërkombëtare.
Në lidhje me Ukrainën, Kreu i Shtetit rikonfirmoi mbështetjen pa kushte të Ukrainës në këtë përballje me agresionin e padrejtë e të pajustifikuar rus, duke e argumentuar këtë qëndrim aktiv me ndjekjen e parimit të respektimit dhe vendosjes së rendit ndërkombëtar bazuar në rregulla.
Presidenti Begaj mori përgëzime për këtë rol të Shqipërisë nga homologu estonez Alar Karis, të cilin e njohu me rritjen e mëtejshme të buxhetit në mbrojtje në funksion të ruajtjes së paqes. Në lidhje më këtë çështje dhe objektivat e tjera si aleatë në NATO, Presidenti Begaj bisedoi në një takim të veçantë me Ministrin e Mbrojtjes së Estonisë, z. Hanno Pevkur.
Gjatë vizitës në Talin, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, i shoqëruar nga homologu estonez, Alar Karis, zhvilloi një vizitë në Memorialin e Viktimave të Komunizmit në Maarjamäe, ku nderoi të rënët me një buqetë lulesh./vizionplus.tv