Ditën e sotme, rreth 28 mijë maturantë do të testohen për njohuritë e tyre në Gjuhën Shqipe dhe Letërsi.
Pas provimit të Gjuhës së Huaj të cilin e zhvilluan më 3 qershor, maturantët do të duhet që këtë të hënë t’i japin zgjidhje pyetjeve me alternativa dhe zhvillim në lëndën Gjuhë dhe Letërsi. Testi përmban gjithsej 60 pikë.
Provimi do të zhvillohet në 144 qendra në të gjithë vendin. Mësohet se do të jenë rreth 2900 mësues dhe punonjës të arsimit që do të jenë pjesë e monitorimit dhe administrimit të provimeve.
Provimet e Maturës Shtetërore fillojnë në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta. Pas provimit të sotëm, më 18 qershor, do të jetë provimi në Matematikë, ndërsa më 24 Qershor do të mbahet provimi i Lëndës me Zgjedhje./vizionplus.tv