Kilian Mbappe mund të konsiderohet që tani një futbollist i Real Madrid. Asnjë befasi në këtë rast, përveç detajit të dhënë nga e përditshmja e madhe spanjolle Marka, e cila sqaron se ylli francez ka nënshkruar për 5 vite me Los Blankos.
Gazeta shton madje se firma e 25-vjeçarit me skuadrën madrilene është hedhur dy javë më përpara, e më pas vetë Mbappe ka informuar presidentin e Paris Sen Zhermen, Naser al Khelaifi për vendimin e marrë.
Në këtë mënyrë dyshja Mbappe dhe Al Khelaifi duhet të bashkëjetojnë nga e keqja tek parisienët të paktën edhe për pak muaj, derisa në 1 korrik, djaloshi i artë i futbollit francez të nisë aventurën e tretë të madhe në karrierë.
Pas 7 vitesh tek parisienët dhe zërave të çdo merkatoje nëverë që e shihnin tek Reali, më në fund kjo gjë është bërë realitet për Mbappen.
Kontrata vjetore e tij tek gjigandët e Spanjës duhet të jetë 20 milionë euro, më shumë sesa Modriç dhe Kros që janë aktualisht më të paguarit.
Mirëpo bashkë me bonusin e madh të firmës, në total përfitimi i mbarë përgjatë një viti kontratë tek Reali duhet të jetë 50 milionë euro neto, thënë ndryshe 250 milionë euro për pesë vite.
Mbappe zgjodhi të sakrifikojë shumë e më shumë para që merrte dhe do të merrte sërish tek PSG, për të hapur një kapitull të ri në karrierë, atë të të qenit lojtar i Real Madrid, skuadrës rekordmene të Spanjës dhe Europës, ku mund të fitojë shumë e më shumë trofe ekipore dhe personal në kulmin e moshës së tij sportive.