Ditën e sotme është mbledhur kryesia e Partisë Demokratike. “I pranishëm” në mbledhje ishte edhe kreu i PD-së, Sali Berisha, i cili mbajti fjalën e tij virtualisht, pasi ndodhet në “arrest shtëpie” prej dhjetorit të vitit të kaluar.
Berisha tha se Kryesia ditën e sotme mblidhet në një moment vendimtar dhe duhet të marrë përsipër përgjegjësinë e rikthhimit të votës.
Kryetari i kësaj force politike theksoi se kemi hyrë në një vit elektoral dhe duhet të zgjidhim disa probleme madhore, duke u ndalur tek vota e lirë.
Berisha: Sot, Kryesia e PD mblidhet në një moment vendimtar në historinë e saj, mblidhet në një moment kur kjo Kryesi duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e rikthimit të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë. PD në vitet e fundit përjetoi një proces të rrallë, të vështirë. Por ajo sot është në këmbë, është e fuqishme, është e bashkuar, pavarësisht përpjekjeve që kjo forcë politike të denatyrohej, të shndërrohej në një simotër të partisë së krimit. Të fshihej e tërë historia e saj, të fshihej, të spostohej aksi i programit të saj. Ju keni bërë një betejë të fortë, por dhe të suksseshme. Jeni përballur me probleme të mëdha, të vështira dhe ato janë kapërcyer. Kemi hyrë tani në një vit elektoral./vizionplus.tv