3 javë më parë ishte në Rusi, ndërsa sot zgjodhi që në institucionet e Bashkimit Europian të provokonte Kosovën. Lubos Blaha ngriti zërin pro Serbisë dhe Moskës në seancën dëgjimore në Komisionin e Parlamentit Europian për Punët e Jashtme për kandidaten për komisionere të zgjerimit Marta Kos.
Eurodeputeti nga Sllovakia tha se Ukraina është një nga vendet më të korruptuara të botës dhe pretendoi se mbështesin liderë fashistë dhe përdorin simbole naziste, një narrativë kjo e përdorur nga Rusia, ndërsa tentoi të krahasonte rastin e territoreve të aneksuara me atë të Kosovës.
“Zelensky sundon pa zgjedhje. Madje aty janë të burgosur nga politika e Partisë Komuniste. Kjo është demokracia e famshme europiane dhe shteti ligjor. Në rastin e Serbisë, ju pretendoni se ata mund të anëtarësohen në Bashkimin Europian vetëm nëse heqin dorë nga territori i tyre sovran, Kosova dhe Metohia. Nëse flisni për qëndrueshmëri, a do të kërkoni të njëjtën gjë edhe nga Ukraina që të heqë dorë nga Krimea dhe Donbasi? Apo më në fund do ta pranoni se njohja e Kosovës është krim ndaj Serbisë dhe se BE-ja po sillet hipokrite?”, tha Lubos Blaha.
Në sallë dëgjohet zëri i një eurodeputeti tjetër që korrigjon sllovakun duke i kërkuar që t’i referohet Kosovës si Republikë. Gjithashtu edhe drejtuesi i Komisionit të Parlamentit Europian për Punët e Jashtme, David McAllister, kërkoi nga Blaha që të tregojë kujdes me fjalët e përzgjedhura pasi partnerët duhet të trajtohen me respekt.
Në konferencën për shtyp u pyet nga gazetari Ervin Koçi që të adresojë incidentin në fjalë.
“Ishte një nga dy rastet në seancën dëgjimore ku i rikujtova kolegët se ne nuk përdorim një lloj gjuhe të caktuar për të përshkruar partnerët tanë dhe Kosova është një e tillë. Prandaj u ndjeva i detyruar që të merrja fjalën. Ndërhyra pasi kisha përshtypjen, duke dëgjuar edhe interpretimin në anglisht, se disa fjalë të zgjedhura për të përshkruar situatën politike në Kosovë, nuk i gjej të përshtatshme dhe të thëna me respekt”, tha McAllister.
Ndërkohë në seancën dëgjimore, Marta Kos e propozuar si komisionere e BE-së për zgjerimin, kundërshtoi idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
/a.r