Netanjahu kërkon falje për pengjet e vrara në Gaza, protestuesit i shkojnë në shtëpi

2 months ago 33

Greva kombëtare dhe protestat masive e detyruan që të reflektojë.

“Familjeve u thashë dhe ua them sërish: Kërkoj falje që nuk arritëm t’i kthejmë gjallë. Ishim afër, por nuk ia dolëm. Izraeli nuk do ta pranojë këtë masakër. Hamasi do të paguajë një çmim shumë të lartë për këtë”, tha kryeministri izraelit.

Por kjo nuk mjaftoi që kaosi dhe flakët të shuheshin. Mijëra izraelitë dolën në rrugë në mbarë vendin në ditën e dytë të protestave. Përleshje të dhunshme janë raportuar përballë banesës së kryeministrit Netanjahu, ndërsa flitet për dhjetëra të arrestuar vetëm në Jerusalem.

Kërkesa kryesore e tyre është që Izraeli të pranojë marrëveshjen për armëpushim dhe lirimin e të gjitha pengjeve që gjenden në duart e Hamasit në Gaza. Netanjahu thotë se nevojitet kontroll i plotë i korridorit të Filadelfit për të penguar, siç tha ai, aksin e së keqes, ndërsa sinjalizoi se nuk ka ndërmend të ndalojë luftën.

“Nuk është e thjeshtë ta bësh. Nuk është një çështje e taktikave ushtarake. Por një presion i madh diplomatik që do të na bëhet nga e mbarë bota. Nëse largohemi, nuk do kthehemi më pas. Do ta përcaktoja fundin e luftës në Gaza kur Hamasi të mos e sundojë më atë”, tha ai.

Britania e Madhe ka pezulluar shitjen e disa armëve për Izraelin, duke thënë se ekziston një “rrezik i qartë” që armët mund të përdoren për të kryer shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar.

Sekretari i Jashtëm David Lammy tha se Mbretëria e Bashkuar do të pezullonte 30 nga 350 licencat e eksportit të armëve në Izrael. Pajisjet e prekura përfshijnë pjesë për avionë luftarakë, helikopterë dhe dronë.

Një ministër izraelit i tha BBC-së se vendimi dërgoi “mesazhin e gabuar” dhe ishte “zhgënjyes”.

Shtetet e Bashkuara shprehin zhgënjimin e tyre me Tel Avivin me presidentin Joe Biden që vlerëson se nuk është bërë sa duhet për të arritur marrëveshjen e paqes.  Për këtë, kreu i Shtëpisë së Bardhë mund të paraqesë gjatë ditëve në vijim një marrëveshje të lloji “mere ose lërë” për Izraelin dhe Hamasin.

/a.r

Read Entire Article