Prej 10 vitesh kjo instrumentiste udhëton në gjithë botën duke intepretuar me një vegël muzikore të veçantë.
Rosemary Yung është nga Hong Kongu dhe prej disa ditësh ka mbërritur në Durrës.
“Zgjodha të qëndroj këtu duke pasur në sfond këtë monument kulture sepse beesoj se është shumë i bukur, nuk e di cfarë është, por është i bukur, ndonëse sot është shumë vapë. Ky është profesioni im dhe me këtë gjë jam marrë. Ky instrument quhet PIPA dhe e ka origjinën nga Kina. Është instrument tradicional kinez”, tha Rosemary Yung.
Artistja kineze interpreton pjesë të ndryshme muzikore me origjinë nga kontinenti aziatik, por edhe muzikë europiane.
“Unë kam nisur të luaj muzikë që në moshën 8-vjeçare. Interpretoj më shumë në Evropë, në vendet e Ballkanit, por edhe në Japoni etj. Unë udhëtoj në shumë vende, edhe në Ballkan kam qenë. Më ftojnë shpesh njerëzit në vendet ku shkoj për të luajtur dicka, për të pirë një kafe etj. Njerëzit janë shumë kuriozë kur më shohin, sidomos ata që janë të rinj”, tha Rosemary Yung.
Me instrumentin e saj dhe muzikën krejt ndryshe që luan në zonat më kryesore të qytetit bregdetar tërheq jo pak vëmendjen e banorëve dhe turistëve. Ajo konsiderohet qytetare e botës, pasi që nga viti 2015 është përherë në udhëtim./vizionplus.tv