Nga ngjitja e parë në skenë te hitet, rrëfehet në “Vizioni i Pasdites” artistja e madhe shkodrane

8 months ago 56
Reklamë

Ajo është një nga këngëtarët më të ëmbla të skenës shqiptare. E lindur në Shkodër, ajo ishte vetëm një vajzë e vogël çapkëne kur shpalosi talentin e saj në moshën 9-vjeçare. Pas më shumë se 40 vitesh karrierë sot është trashëgimtarja e denjë e këngëtarëve shkodranë.

E ftuar në emisionin “Vizioni i Pasdites”, me moderatoren Brikena Prifti, artistja Mukades Çanga ka rrëfyer hapat e parë drejt një karriere të gjatë gati 50-vjeçare.

Çanga: Shumë e vështirë rruga, por…Shkodra më ka vlerësuar shumë, i jam shumë mirënjohëse, gjithë Shqipërisë dhe Diasporës. Fillimet kanë qenë të vështira, por me sakrificë të madhe, edhe familja ime ka sakrifikuar shumë, ata më kanë dhënë rrugën dhe mbështetjetn, sepse në atë kohë ishte shumë e vështirë të merreshe me muzikë.

Muzika populloe ka pasur rregullat e veta në atë kohë, nuk na lejonin të këndonim si donim ne. Sot më vjen keq, se fëmijët tanë frymëzohen nga e keqja, nuk i dëgjojnë këto gjërat e bukura. Edhe sot kemi shumë talente dhe kënaqem kur i dëgjoj dhe i ri afër.  

Janë të shumta çmimet që artistja ka marrë, por njëri është më i rëndësishmi.

Çanga: Çmimi “Mjeshtre e Madhe”, e mora para pensionit, është më i rëndësishmi. Jam shumë e realizuar pasi kam ecur shumë mirë në art. Në atë kohë kishim shumë vështirësi, kishim plane me estradën, nëpër fshatra, qytete. Por falë Zotit më kanë ndihmuar edhe prindërit e burrit dhe i jam shumë mirënjohëse, por në radhë të parë burrit. Në art duhet të të kuptojnë, të të vlerësojnë.

Artistja tha se nuk i ka mbetur asgjë peng dhe nuk do të dëshironte të ndryshonte asgjë nga karriera e saj.

Çanga: Tani dua të shijoj pensionin dhe nipat e mbesat. Unë vij shpesh në Tiranë se më bëjnë nipërit të vij. Vajzat i kam mrekulli.

Artistja në fund falenderoi dhe vlerësoi të gjithë personat që kanë qenë pjesë e karrierës së saj dhe uroi gjithë shqiptarët për festat e fundvitit./vizionplus.tv

Read Entire Article