Tre vite kanë kaluar që kur Dea Rrozhani, vajza që kodoi aplikacionin « GjejZa» la Shqipërinë për të nisur studimet e larta në UPenn, një nga universitetet e njohura të Ivy League në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo fitoi një bursë të plotë dhe u nis drejt Tokës së Premtuar duke lënë pas trofeun që e bëri Shqipërinë të renditej e para në një konkurs botëror teknologjie.
Prej atëherë asnjë ekip vajzash, si Decoders, dhe asnjë programuese si Dea, që konkurroi në Technovation Global nuk ia doli të përsëriste fitoren që mbushi për ditë tëra rrjetet sociale të politikanëve, shoqërisë civile dhe medias.
Tashmë, ajo është studente në vitin e tretë ku studion shkenca kompjuterike. Gjithashtu punon si kryeasistente mësuese për një nga lëndët, ndërsa gjatë verës punon si intern për programim/ inxhiniere softueri.
Koha e saj e lirë është e kufizuar, por ajo përpiqet të çlodhet dhe të mbledhë forcat edhe në situata të ngarkuara pune.
“Vitin e shkuar isha në Singapor si vullnetare e rekrutuar nga organizatorët e First Global. Duhet të punonim për mbarëvajtjen e lojërave olimpike të robotikës, ku 3 vjet mora pjesë me ekipin kombëtar të Robotikës. Jo çdo ditë mund të shohësh të gjithë botën të përfaqësuar në një arenë, por FIRST Global e bën atë në mënyrën më spektakolare të mundshme!» – thotë Dea dhe nga shkëlqimi i syve të saj kupton se energjia që e karakterizon nuk është tipar thjesht i moshës së re.
Që në vitin e parë të studimeve Dea ia doli mbanë të bëhej pjesë e ekipit të Penn Electric Racing një ekip prej studentësh inxhinierie që ndërtojnë një makinë garash elektrike të tipit Formula 1.
“Duhet të bëje një test për t’u pranuar në ekip dhe të hyje ishte një fitore.”
Dea, e vetmja shqiptare aktualisht në ekip, kujton emocionet kur u pranua. Sot, ajo është njëra prej atyre që u jep lajmin e mirë anëtarëve të rinj.
Dy vjet mori pjesë në konkursin e Formula SAE në Michigan, ku krijoi shumë përvojë dhe kujtime.
«E nisa udhëtimin tim në ekip si pjesëtare e grupit të Pajisjeve Elektrike dhe Operacioneve, ku fitova aftësi të reja si qarqet dixhitale, dizajn, puna ekipore dhe së fundi në programim. Kam mësuar shumë dhe jam krenare që jap kontributin tim në ekip.»
Për një kohë të gjatë, laboratori apo punishtja siç e quan ajo ishte “foleja” e saj e preferuar për të punuar dhe studiuar.
“Të shohësh krijimin e një makine nga hapat e parë deri në fund është një proces i bukur. Kalon orë të gjata në ekip dhe shpesh duhet të privohesh nga ditët e pushimit, punon me ritmin e një afati të ngushtë dhe në fund shikon se ia ka dalë mbanë. Ndjen një ngazëllim të papërshkrueshëm”.
Në atë laborator Dea krijoi edhe vathët me borde ku ka gdhendur incialet e saj, të cilat i vë gjatë garave bashkë me uniformën e ekipit.
Çfarë ndryshoi në vitin e parë për Dean, një shqiptare që u gjend në mes të një komuniteti të madh studentësh nga e gjithë bota?
Dhe ajo përgjigjet: «Entuziazmi i parë, të ndihmon të mos biesh pre e mallit për shtëpinë, që është krejtësisht i pashmangshëm për çdo student të huaj. Por kjo nuk ndihmon për shumë gjatë. Unë kam udhëtuar më parë në Amerikë, por është krejt ndryshe të jetosh si studente. Duhet të dish të përshtatesh me studimet dhe me jetën në kampus. Bashkëjetesa me studentë nga kultura të ndryshme mund të jetë e pak e vështirë, por është shpërblyese, sepse mësojmë kaq shumë nga njëri-tjetri. Duke e ditur se kjo fazë e parë është e vështirë përpiqem të ndihmoj studentët shqiptarë që vijnë në UPenn, edhe pse ata janë të paktë, sepse është një universitet ku nuk është aspak e lehtë të pranohesh.»
Këto vite larg Shqipërisë nuk e kanë ndryshuar Dean që vazhdon të jetë e njëjta vajzë altruiste si më parë. Mendon të ndihmojë sa më shumë vajzat që duan të futen në botën e shkencës. Për kontributin e saj në afrimin e vajzave me teknologjinë dhe aftësitë e saj në shkencë ajo sapo është zgjedhur në bordin e Shoqatës së Grave Inxhiniere të universitetit të saj. Disa muaj më parë mori pjesë në konferencën më madhe të grave në shkencë që u mbajt në Kaliforni.
Vlerësimin për kontributin e saj që tashmë i kalon kufijtë e shoqërisë shqiptare, ia njeh edhe Technovation Global e cila shkruan për Dean: «Kur gratë ngrihen për të bërë një ndryshim në komunitetet e tyre, ato krijojnë një valë ndryshimesh që përcillen në të gjithë botën».
Është plotësisht e vërtetë kur hedh një shikim të shpejtë në arritjet e saj brenda më pak se një dekade. Në vitet 2016-2019 ajo u përfshi në ëndrrën e saj për të programuar. Ndërsa në vitet 2019-2021 ajo u bë një ambasadore e teknologjisë botërore për Shqipërinë.
Kur ishte vetëm 14 vjeç nisi një kurs robotike dhe programimi për vajzat me mbështetjen e Ambasadës Amerikane. Falë këtij kursi, numri i vajzave që u përfshinë në kodim u dyfishua. Në vitin 2019 fitoi çmimin e madh me aplikacionin që i vinte në ndihmë vajzave dhe grave të dhunuara, të cilin e prezantoi edhe në Samitin e Ballkanit Perëndimor si një përfaqësuese e përzgjedhur nga UNICEF:
«Fuqizimi i vajzave në teknologji nuk lidhet vetëm me aftësimin e tyre teknik, por me aftësimin e tyre për të bërë ndryshimin, për të zgjidhur problemet dhe për të udhëhequr në komunitetet ku jetojnë»- thotë Dea.
Për këtë iniciativë ajo u përgëzua dje edhe nga Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken gjatë vizitës së tij në Tiranës, ku zhvilloi një takim me të rinjtë të cilët kanë përfituar nga programet e Ambasadës Amerikane.
Në vitet 2018-2020 ajo ishte pjesë e ekipit kombëtar të Robotikës, dhe përfaqësoi vendin në lojërat botërore të First Global. Në garat që u zhvilluan në Dubai ajo ishte e vetmja vajzë në ekipin shqiptar.
Për performancën e saj të shkëlqyer, këmbënguljen për të mësuar qoftë edhe në mënyrë autodidakte, Ambasada Amerikane në Tiranë, e zgjodhi Dean që të mbante fjalën përshëndetëse në emër të Shqipërisë në ceremoninë e festës kombëtare të SHBA-ve 3 vite më parë. Ajo përfaqësoi rininë shqiptare si një model i veçantë për kontributin e saj në shoqëri.
– Planet për të ardhmen ?- e pyes
– Të ndjek ëndrrën time.
– Cila është ajo?
– Të jem e lumtur.
– Çfarë është lumturia për ty?
– Të jetoj dhe të punoj siç ma do zemra, duke vendosur gjurmën time në shoqëri, – përgjigjet Dea.
Ajo mbyll librin ku zemra është një hartë e jetës, një bestseller i New York Times, që Dea e rrëmbeu sapo e pa në librarinë Bookland, aty ku u takuam dhe nisëm fotot për realizimin e këtij shkrimi.
E ardhmja është e bukur për të rinj që ndjekin pasionet dhe ëndrrat e tyre me shumë punë dhe përkushtim!/Living/