Përfaqësues nga Kosova dhe Serbia mbërriten këtë të martë në Bruksel për të diskutuar dhe për të gjetur një zgjidhje mbi çështjen e dinarit serb, por duket se edhe ky takim nuk prodhoi rezultat.
Pas bisedimeve i dërguari i BE-së Miroslav Lajcajk në një postim në rrjetet sociale deklaroi se shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje.
“Unë mirëpres angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e Bankës Qendrore të Kosovës. Takimi i sotëm i dialogut ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”, tha Lajçak.
Në një prononcim per Radio Europa e Lirë, guvernatori i Bankës Ahmet Ismaili, i cili udhëhoqi delegacionin e Kosovës nënvizoi se Prishtina zyrtare nuk do të terhiqet nga vendimi për dinarin.
“Nuk ka asgjë tjetër dhe nuk kemi pranuar diskutime të tjera. Rregullorja është në fuqi dhe nuk ndryshohet. Zbatimi i saj nuk vihet në diskutim”, tha Ismaili.
Po ashtu edhe vetë banka në një komunikatë për mediat ka sqaruar se delegacioni ka paraqitur argumentet lidhur me rregulloren që parasheh euron si valutën e vetme si mjet pagese në Kosovë.
Nga ana tjetër kryenegociatori serb per dialogun Petar Petkovic i cilësoi veprimet e Kosovës si politike e sipas tij ato ndikojnë në mbijetesën e popullit serb në Kosovë./vizionplus.tv