Opozita djeg goma para bashkisë, protesta e njëmbëdhjetë kundër kryebashkiakut Erion Veliaj

5 months ago 19

Opozita dhe aleanca për mbrojtjen e teatrit protestuan sërish para bashkisë së Tiranës, duke kërkuar largimin e Erion Veliajt.  Protestuesit qëlluan me vezë godinën si dhe dogjën goma në shenjë revolte kundër kryebashkiakut. Ndërkohë që nuk munguan edhe momentet e tensionit për shkak të përpjekjeve të forcave të policisë për të shuar zjarrin.

Ish-kandidati i demokratëve për bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi shfrytëzoi protestën për të denoncuar një tjetër drejtor të bashkisë së Tiranës, i cili sipas tij ka abuzuar me taksat e qytetarëve.

“Hajduti më i pasur në bashkinë e Tiranës, gjobaxhiu nr. 1 i bashkisë së Tiranës, Arli Naska, ish-drejtor i Tatimeve në bashkinë Tiranë, aktualisht drejtor në Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit”, deklaroi Këlliçi.

Këlliçi i bëri apel SPAK-ut të hetojë Erion Veliajn dhe të zbardhë çështjen e inceneratorit të Tiranës dhe dosjen “5D”.

“I bëjmë thirrje sërish Altin Dumanit të ngrihet në lartësinë e detyrës që ka, të tregojë me vepra që nuk është koleg i Erion Veliajt, Çfarë pret më Altin Dumani dhe gjithë prokurorët e SPAK ju kemi depozituar me mijëra faqe dokumente, prova, transferta bankare dhe vjedhje të kryera nga Erion Veliaj dhe s’guxoni të zbatoni ligjin”, tha Këlliçi.

Sipas opozitës ish-drejtorët e bashkisë që sot po hetohen për korrupsion kanë qenë shefa të fushatës elektorale të Erion Veliajt një vit më parë e janë përgjegjës edhe për vjedhjen e votave; ndaj protesta e demokratëve para bashkisë së Tiranës nuk do të ndalojë derisa vetë Veliaj të dalë para drejtësisë./vizionplus.tv

Read Entire Article