Nga The Economist
Përktheu: Vizionplus.tv
Ishte e vështirë të mos shihje një moment dëshpërtimi te Antony Blinken. Sekretari amerikan i shtetit po bën vizitën e tij të nëntë në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës në Gaza mbi dhjetë muaj më parë. Raundi i fundit i bisedimeve indirekte midis Izraelit dhe Hamasit është, këmbënguli ai, “një moment vendimtar” ose “ndoshta mundësia më e mirë, ndoshta e fundit” për arritjen e armëpushimit dhe lirimin e pengjeve izraelite.
Megjithatë, nuk është arritur ende asnjë marrëveshje. Në mes të vizitës së tij, Irani lëshoi një tjetër kërcënim për një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Izraelit.
Për muaj të tërë, administrata e Biden, së bashku me Egjiptin dhe Katarin, të cilët flasin drejtpërdrejt me Hamasin, janë përpjekur të shtyjnë palët drejt një marrëveshjeje armëpushimi.
Më 16 gusht ata paraqitën një propozim të ri. Ky është në thelb një version më i detajuar i një kuadri për një marrëveshje të propozuar nga Izraeli në maj, e cila ende nuk është ratifikuar nga kabineti izraelit.
Propozimi parashikon fillimisht një ndalesë gjashtëjavore të luftimeve në Gaza, gjatë së cilës disa pengje izraelite do të liroheshin në këmbim të një numri shumë më të madh të të burgosurve palestinezë. Gjatë armëpushimit do të mbaheshin bisedime të mëtejshme për një armëpushim të plotë dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza. Ekziston edhe një fazë e tretë që përfshin planin për rindërtimin e enklavës së shkatërruar, por në këto momente pakkush po mendon për plane kaq afatgjata.
Më 19 gusht, Z. Blinken u takua me Binyamin Netanyahun, kryeministrin izraelit, për tre orë. Më pas, sekretari i shtetit u tha gazetarëve se kryeministri izraelit i kishte “konfirmuar” atij “se Izraeli e pranon propozimin”. Netanyahu nuk shkoi aq larg, duke thënë se ai “vlerësoi shumë” “mirëkuptimin që SHBA ka treguar për interesat tona jetike të sigurisë, si pjesë e përpjekjeve tona të përbashkëta për të sjellë lirimin e pengjeve”.
Ai nuk përmendi një armëpushim të asnjë lloji.
Netanyahu mund ta ketë pranuar propozimin amerikan privatisht, por publikisht ai ende heziton të “mërzisë” partitë e ekstremit të djathtë në koalicionin e tij që kontrollojnë fatin e tij politik. Ata janë me vendosmëri kundër përfundimit të luftës ndërkohë që Hamasi ende kontrollon pjesë të Gazës dhe kanë kërcënuar se do të rrëzojnë qeverinë nëse arrihet një marrëveshje e tillë.
Zyrtarë të lartë në institucionin e sigurisë të Izraelit që mbështesin marrëveshjen janë ankuar se zoti Netanyahu ka kufizuar mandatin e ekipit negociator të Izraelit. Më 20 gusht ai i premtoi një grupi të krahut të djathtë që përfaqësonte familjet e ushtarëve izraelitë se Izraeli do të qëndronte në lokacione kyçe brenda Gazës. Nëse është e vërtetë, kjo ndoshta do të prishte çdo marrëveshje.
Edhe duke supozuar se Izraeli e ka pranuar vërtet planin e Amerikës, duhet të bindet Hamasi ndërkohë.
Grupi thotë se është “i prirur” për një marrëveshje, por deri më tani e ka hedhur poshtë propozimin amerikan, duke pretenduar se ai përfshin kushte të reja të vendosura nga Izraeli dhe nuk garanton një armëpushim të plotë ose tërheqje izraelite pas armëpushimit fillestar.
Pa këto garanci, Yahya Sinëar, udhëheqësi i linjës së ashpër të Hamasit në Gaza, heziton të lirojë pengjet, të cilët po pakësohen në numër. Vetëm disa dhjetëra mendohet se janë ende gjallë. Ato janë “karrota” e tij e fundit dhe inteligjenca izraelite beson se disa po mbahen pranë tij për ta mbrojtur nga vrasja.
Politika e brendshme e Hamasit po pengon gjithashtu bisedimet. Më 6 gusht, Z. Sinëar u emërua si udhëheqës i përkohshëm politik i lëvizjes, pas vrasjes nga Izraeli të paraardhësit të tij, Ismail Haniyeh, në Iran. Z. Sinëar, një figurë e pakompromis që organizoi mizoritë e Hamasit në Izrael më 7 tetor, do të ketë fjalën e fundit nëse Hamasi pajtohet me ndonjë marrëveshje.
Por ai besohet se fshihet thellë brenda rrjetit të tunelit të Hamasit; komunikimi me të mund të zgjasë disa ditë. Udhëheqësit e Hamasit jashtë Gazës nuk kanë autoritet për të marrë vendime në negociata. Khalil al-Hayya është negociatori kryesor në Kajro dhe Doha.
Ai është në një luftë për pushtet me Zaher Jabarin, i cili është përgjegjës për financat dhe çështjet e të burgosurve brenda Hamasit dhe ka një ndikim të madh në listën e të burgosurve që Hamasi dëshiron të lirohet në këmbim të pengjeve izraelite. Këto përçarje e bëjnë edhe më të vështirë për Hamasin të bien dakord për marrëveshjen e propozuar.
Një armëpushim në Gaza mund t’u sigurojë të gjitha palëve një justifikim për të shmangur një luftë rajonale. Izraeli mund të pretendojë se objektivat e tij kryesore janë përmbushur në Gaza, Hamasi mund të mburret me mbijetesën pavarësisht pushitmit të enklavës dhe Irani dhe përfaqësuesit e tij mund të pretendojnë se taktikat e tyre frikësuese e kanë detyruar Izraelin të bëjë kompromis.
Por vendimi përfundimtar mbetet ende tek Netanyahu dhe Sinëar. Dhe për të dy, mbijetesa e tyre personale dhe politike është e para. /vizionplus.tv