Organizatat e mediave shprehin shqetësim për publikimin e videove të dhunshme

3 weeks ago 36
Reklamë

Një nga lagjet më të populluara të Tiranës u trondit me datë 19 gusht, pasi një oficer i policisë së Kufirit, Erjon Goxhara plagosi me armë zjarri një shtetas tjetër në mes të rrugës në orët e mesditës.

Ngjarja u trajtua gjerësisht nga media për shkaqet që çuan në këtë krim, por ajo që tronditi dhe më shumë opinionin ishte publikimi i një video me përmbajtje sensitive, që autori i krimit i kishte bërë viktimës pasi e kishte qëlluar.

Kjo video u shpërnda në media dhe u publikua në shumë portale online, por dhe nga televizionet në edicionet informative, pasi autori u dorëzua në polici disa ditë pas ngjarjes.

Ky nuk ishte rasti i veçuar, pasi të hënën një tjetër video ku dy vajza shihen që dhunojnë një vajzë tjetër në një restorant të Tiranës u publikua po ashtu në media, ndërkohë që ngjarja e ndodhur disa javë më parë është në hetim dhe autoret e krimit nuk janë kapur akoma nga policia.

Policia e Shtetit mohoi që video të ishte shpërndarë nga punonjës të saj apo ekzistencën e një pretendimi të tillë në një përgjigje për BIRN*.

“Të dy ngjarjet që përmenden në kërkesën tuaj janë referuar nga Policia e Shtetit në prokurori, së bashku me materialet procedurale, dhe janë nën hetim nga ky organ,” tha  Elton Metaj, drejtor i Marrëdhënieve me Publikun.

Ndërkohë, publikimi i tyre ka ringritur shqetësimin te organizatat e mediave për shkelje të etikës gazetareske dhe cenim të dinjitetit të njeriut.

Në një deklaratë publike Instituti i Medias Online dhe Sociale (IMOS Albania) shpreh shqetësim dhe thotë se publikimi i tyre nuk është në shërbim të interesit publik.

“Kjo organizatë u bën thirrje gazetarëve, redaktorëve, kryeredaktorëve dhe menaxherëve të portaleve dhe faqeve të njohura online, përfshirë ëeb-faqet e televizioneve, që të respektojnë etikën dhe të heqin postimet për videon e plagosjes me armë zjarri të shtetasit L.K nga një efektiv policie dhe të shtetases K.P nga dy shtetase të tjera”, shkruhet në reagim.

Edhe aktivistë të tjerë të medias e quajnë të pavend publikimin e këtyre pamjeve dhe kërkojnë nga kolegët e tyre që të udhëhiqen nga interesi publik dhe jo nga klikimet.

Videot gjenden edhe në platformat online të mediave të rëndësishme kombëtare si Top Channel dhe Tv Klan.

Fatos Hakorja, kryeredaktor i Tv Klan, i tha BIRN-it se redaksia kishte vendosur që të mos lejonte publikimin e videove gjatë edicionit të lajmeve.

“Vendosëm të mos i publikojmë sepse përbëjnë zero interes për publikun, lejojnë denigrim të viktimës, përveç faktit së përmbajnë pamje sensitive”, tha ai.

Por Hakorja nuk dha një arsyetim se pse këto pamje ishin ndërkohë të publikuara në platformën online të këtij televizioni.

“Platforma online është e ndarë nga televizioni dhe secili drejtues redaksie e gjykon vetë vendimin nëse duhet lejuar publikimi apo jo në raste të tilla”, përfundoi ai.

*Marrë me shkurtime nga BIRN

Read Entire Article