Orientimi në zgjedhjen e profesionit, këshillimi i karrierës që në klasën e gjashtë mirëpritet nga prindërit

5 months ago 31

Ndërsa mbetet edhe një javë nga ky vit shkollor duket se shifrat e nxënësve në arsimin profesional arritën të jenë të qëndrueshme, me vetëm 400 më pak. Sipas shifrave zyrtare, në vitin 2022-2023 pati një rënie me më shumë se dy mijë nxëëns.

Krahas transferimeve nga gjimnazet, këtë vit për herë të parë orientimi për karrierën u përfshi në kurrikulën zyrtare që në klasën e gjashtë.

“Orientimi për karrierën duke nisur nga kjo moshë është mirëpritur nga prindërit por edhe nga nxënësit. Ne e kemi organizuar përmes bashkëbisedimeve, pjesëmarrjes në klube të ndryshme, kemi ftuar prindër që tregojnë për punën e tyre si dhe vizitat në biznese vendase publike dhe private”, tha koordinatorja për këshillimin e karrierës në shkollën “Hasan Tahsin”, Klotilda Muça.

Mësuese Klotilda Muça në rolin e saj si koordinatore për këshillimin e karrierës pranë shkollës 9-vjeçare “Hasan Tahsin” në kryeqytet, shprehet se roli i prindërve në përzgjedhjen e profesonit të fëmijëve të tyre vijon të jetë mbizotërues.

“Prindërit duhet të identifikojnë prirjet e fëmijës, aftësitë e tyre, dëshirat që kanë dhe t’i mbështesin. Ajo që shohim të ndodhë së tepërmi është imponimi, atë që prindërit duan për veten e tyre e projektojnë tek fëmijët. Pyetja që bëjnë të vegjlit më së shumti në takimet që kemi organizuar është : “Si dhe kur e ke kuptuar se çfarë do të bëhesh?” ose për karakterin, “Si duhet të jetë një mjek i mirë..?”, tha Muça.

Ndërkohë sipas shifrave të të diplomuarve, interesi i të rinjve është përqëndruar në fushën e shërbimeve, inxhinieri, prodhim dhe ndërtim si dhe teknologji e informacionit dhe komunikimit./vizionplus.tv

Read Entire Article