“Pishinat publike të Tiranës janë transformuar si dita me natën”, Veliaj: Primare, higjiena dhe siguria e jetës

4 months ago 31

Të vendosura në zemër të Tiranës, pishinat e Akuadromit janë mundësia më ekonomike për të gjithë qytetarët e kryeqytetit, që nuk kanë mundësi të shijojnë bregdetin në këto ditë të nxehta vere.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë një inspektimi është shprehur se kompleksi i pishinave është transformuar si dita me natën, që kur u mor në administrim nga bashkia, pas 20 vitesh nën menaxhimin e një subjekti privat.

“Jam vërtet entuziast që, pas 20 viteve kur pishinat e Tiranës ishin lënë në harresë nga menaxhimi i keq i privatit, rikthimi në duart e Bashkisë e ka transformuar situatën nga nata në ditë. Ka qenë vërtet një terr i madh dhe një gropë e madhe plehrash e hedhurinash, saqë të vinte turp të identifikoheshe me këtë ambient, ku në fakt shumica prej nesh ka kaluar fëmijërinë, ka mësuar notin e ka pasur ato kujtimet e viteve të para të jetës. Më në fund, për fëmijët e të rinjtë, sot po rikthehet ajo nostalgji, por me një cilësi të këtyre viteve, jo të viteve ’90”, tha Veliaj.

Ai shtoi se pastërtia e ujit dhe siguria janë primare, që kjo pishinë të qëndrojë e hapur.

“Pastërtia është primare, kështu që edhe ajo pagesë modeste që jepet për pishinat, shkon për higjienën, klorinimin, për dezinfektimin dhe për mbajtjen pastër të ambienteve. Dua të garantoj të gjithë qytetarët që, jo vetëm higjiena e pastërtia që janë primare, por edhe siguria e jetës”, u shpreh Veliaj.

Ndërsa, u bëri apel qytetarëve që të frekuentojnë pishinat publike, Veliaj e solli Akuadromin si shembull se menaxhimi publik ndonjëherë është më mirë se privati.

“Më vjen mirë që, edhe për fëmijët nën 4 vjeç e kemi falas, dhe kemi ndërtuar vërtet një ambient familjar, një ambient të gjelbër, të pastër. Pishinat janë ndoshta opsioni më ekonomik, më i pastër dhe garancia e Bashkisë, ku mund të kalohet një kohë cilësore familjare. Ftesa për të gjithë qytetarët është: Të vijmë tek pishinat publike! Pishinat publike janë një mënyrë se si ne tregojmë se menaxhimi publik ndonjëherë është edhe më mirë se sa privati. Nga ana tjetër, është vendi ideal për të organizuar kampet e verës, grupe të organizuara, ribashkime familjare, ribashkime të shokëve”, deklaroi më tej kryetari i bashkisë së Tiranës.

Në varësi të kushteve të motit, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se pishinat publike do të vazhdojnë të qëndrojnë hapur deri në fund të tetorit./vizionplus.tv

Read Entire Article