Një plagosje e dyfishtë tronditi Tiranën mesditën e sotme, pasi dy persona u qëlluan me armë në Don Bosko.
Kastriot Elezi 45-vjeç dhe Ronaldo Metushi 22-vjeç kanë mbetur të plagosur me armë zjarri.
Lexo edhe :
Related Posts
Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur edhe Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, i cili ka dhënë detaje për ngjarjen.
Vocaj ka theksuar se në territorin e komisariatit Nr.5 është gjetur e djegur një makinë që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes.
“Jemi duke kontrolluar në të gjithë zonën për kamerat e sigurisë në biznese dhe ato publike. Në territorin e Komisariatit Nr. 5 është gjetur një automjet i djegur, që ka përputhshmëri me atë të përdorur nga autorët, janë identifikuar targat që nuk janë të vjedhura, por numri i shasisë nuk përputhet me automjetin origjinal. Vazhdojnë hetimet, janë sekuestruar 7 gëzhoja të qitura nga një armë zjarri e tipit të papërcaktuar ende. Në automjet është gjetur edhe një armë zjarri që po ekzaminohet nga grupi hetimor”, deklaroi Vocaj.
I pyetur nga mediat se çfarë lidhje ka patur mes dy të plagosurve, Vocaj është shprehur se ka lidhje shoqërore mes tyre.
“Ishin në të njëjtën tavolinë. Kemi evidentuar që kanë vetëm lidhje shoqërore. I riu nuk është kamerier, kanë qenë duke pirë kafe në verandën e këtij lokali. Për objektivin do të përcaktohet nga hetimi. Të paktën njëri prej tyre ka precedentë kriminalë, por ne jemi duke hetuar për background-in që të plagosurit kanë dhe konfliktet e mundshme që mund të kenë”, deklaroi Vocaj.
Sa i përket autorëve, Vocaj tha se ka qenë tre persona dhe në drejtim të Elezit dhe Metushit është qëlluar nga një makinë në lëvizje.
“Mendohet se ka në qenë tre persona, përfshirë edhe drejtuesin e mjetit. Nuk janë gjeture sende të jashtëligjshme te të plagosurit. Autorët kanë qëlluar nga automjeti, nuk kanë zbritur. Ne kemi pamje filmike të mënyrës sesi ka ndodhur ngjarja dhe kemi krijuar ide mjaft të qartë të dinamikës së ngjarjes. Autorët kanë hapur zjarr nga makina është probabilitet i madh që të kenë qenë të maskuar”, u shpreh Vocaj.