Pogradeci çel sezonin turistik, kryebashkiaku: Këtë vit presim 18 mijë turistë nga Gjermania

5 months ago 20

Nga Tonin Frroku

Pogradeci edhe këtë sezon turistik mbetet destinacion i kërkuar nga turistët vendas e të huaj për bukuritë që ofron, se bashku me fshatrat turistik të Linit e Tushemishtit si dhe trashëgiminë e kulturës në zonën e Mokres.

Operatorët turistike janë bërë gati pasi rezervimet e turistëve të huaj kanë filluar që në muajin Maj e do vazhdojnë deri në muajin Tetor. Sipas tyre gatimet tradicionale të peshkut janë më të kërkuara nga vizitorët e huaj.

Drejtoresha e të ardhurave pranë bashkisë së Pogradecit Enjela Karafili ka bërë me dije se këtë vit ndryshe nga viti i kaluar hapësira e plazheve publike do të jetë 40%, me çadra falas dhe hapësira edhe për personat me aftësi të kufizuara.

Në ditën e çeljes të sezonit turistik krahas turistëve vendas nuk kanë munguar edhe turistët e huaj, të cilët shprehen se mikpritja e banorëve por dhe gatimet të bëjnë të duash qytetin e Pogradecit.

“Jam nga Izeaeli, jetoj ne Itali, i dua njerëzit këtu, jane kaq mikpritës, natyra është kaq e bukur, kam dy javë këtu në Pogradec e do vazhdoj të rri e për dy javë të tjera. Padyshim që i kam sugjeruar edhe të tjerëve të vijnë, familjes, të dashures, ushqimi është kaq i shijshëm, unë shkoj nëpër restorante dhe bëhem shok me pronarët, çmimi është i lirë, në vendet e tjera të duket sikur te vjedhin, këtu është kaq ndryshe“, tha një turist.

Kryetari i Bashkisë Pogradec Ilir Xhakolli tha se ka rezervime të shumta me turistë vendas e të huaj. Sipas tij 18 mijë turistë gjermanë kanë rezervuar në qytetin liqenor.

“Ne e kemi si datë 15 që është sot, por turizmi është çelur që në maj. Risi është që ka prezencë të turistëve të huaj. Këtu ka nga një agjenci turistike me qendër në Greqi që funksionon me turistë gjermanë, ka lidhur marrëveshje me disa subjekte dhe kemi një kontratë 18 mijë gjermanë që do vijnë në Pogradec. Ata kanë filluar që në maj të vijnë e do vazhdojë deri në tetor”, tha kryebashkiaku Xhakolli.

Pogradeci ditën e sotme ka çelur sezonin turistik ku operatorët turistike kanë ekspozuar gatimet e tyre tradicionale ndërkohë që ka patur e aktivitete të shumta ujore e artistike./vizionplus.tv

Read Entire Article