Nga Tonin Frroku
Pasi zbukuroi doganën e Kapshticës, një artiste polake po realizon një pikturë murale edhe në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës.
“Isha në Kapshticë javën e kaluar, për rreth 10 ditë, për të realizuar një murale tashmë jam në Qafë Thanë ku po realizoj muralen këtu. Përfaqëson një lloj lule të zonës dhe qëllimi është që të sjell më shumë ngjyra dhe më shumë jetë në këto godina, do pikturoj edhe pjesën ballore kur vjen nga Maqedonia e Veriut, kështu që do të keni një pamje më të bukur kur të vini në Shqipëri”, thotë artistja Maria-Rosa Szychowska.
Për piktoren polake, kjo është hera e parë që e viziton Shqipërinë dhe përshtypjet për vendin dhe njerëzit i ka shumë të mira.
“Është puna ime e parë në Shqipëri, hera e parë që vij këtu dhe e dashuroj këtë vend për shumë arsye, është i mahnitshëm”, thotë Maria-Rosa Szychowska.
Ka qenë kërkesa e Ministrisë së Turizmit që artistja polake të realizonte dy piktura murale në dy pikat kufitare në juglindje të vendit, punë të cilën ajo e ka bërë edhe në vende të tjera të botës./vizionplus.tv