Prokurorët: Ish informatori i FBI-së për rastin e Hunter Biden-it kishte kontakte me shërbimin rus të zbulimit

8 months ago 11

Ish informatori i FBI-së që akuzohet se ka fabrikuar një skemë ryshfeti shumëmilionëshe, që përfshin Presidentin amerikan Joe Biden, të birin e tij Hunter dhe një kompani energjetike ukrainase, ka pasur kontakte me zyrtarë me lidhje me shërbimet ruse të zbulimit, njoftuan prokurorët.

Prokurorët i bënë publike lidhjet e tij, ndërkohë që i kërkuan një gjykatësi në Las Vegas ta mbante nën arrest ish-informatorin Alexander Smirnov deri në fillim të procesit gjyqësor. Gjykatësi Daniel Albregts vendosi ta lërë të lirë zotin Smirnov, me kusht që vendndodhja e tij të vëzhgohet me mjete elektronike.

Ai akuzohet se gënjeu FBI-në kur tha, se drejtuesit e kompanisë energjetike ukrainase Burisma, i paguan zotit Joe Biden dhe të birit të tij Hunter, 5 milionë dollarë secilit në vitin 2015 – ky pretendim ishte në qendër të përpjekjeve republikane në Kongres për nisjen e procesit të hetimeve nga Dhoma e Përfaqësuesve për ngritjen e akuzave për shkarkimin e presidentit Biden.

Ish-informatori Smirnov, 43 vjeç, refuzoi të flasë me gazetarët kur doli nga gjykata të martën në mbrëmje. Në kyçin e këmbës së majtë ai kishte të vendosur një mjet elektronik vëzhgimi.

Sipas prokurorëve, zoti Smirnov e pranoi pas arrestimit të tij javën e kaluar, se “zyrtarë të lidhur me shërbimin rus të zbulimit ishin të përfshirë” në pohimin e fabrikuar që iu përcoll FBI-së për zotin Hunter Biden. Ata thanë se kontaktet e zotit Smirnov me shërbimin rus të zbulimit ishin bërë gjatë kohëve të fundit dhe ishin gjithëpërfshirëse. Prokurorët gjithashtu thanë se zoti Smirnov kishte planifikuar të takohej me një zyrtar gjatë një udhëtimi që kishte në plan të bënte jashtë vendit.

Shtëpia e Bardhë nuk e ka komentuar këtë zhvillim.

Prokurorët thanë se zoti Smirnov, i cili ka shtetësi amerikane dhe izraelite, i dha FBI-së informacion të rremë në qershor të vitit 2020 se drejtuesit e kompanisë Burisma i kishin paguar miliona dollarë zotit Joe Biden dhe të birit të tij Hunter në vitet 2015 dhe 2016.

Por, sipas prokurorëve, zoti Smirnov kishte vetëm marrëdhënie normale biznesi me kompaninë ukrainase në viti 2017 dhe akuzat për ryshfet i bëri pasi, sipas tyre, ai kishte paragjykime ndaj zotit Joe Biden në kohën kur ai ishte kandidat për presidencial.

Ai akuzohet se ka bërë deklaratë të rreme dhe se ka krijuar një dosje bazuar në falsifikime dhe shpifje. Akuzat ndaj tij janë ngritur në Los Anxhelos ku zoti Smirnov ka jetuar 16 vjet para se të zhvendosej në Las Vegas në dy vitet e fundit.

Pretendimet e informatorit janë pjesë e rëndësishme e përpjekjeve republikane në Kongres për të hetuar presidentin dhe familjen e tij dhe u përdorën për të filluar hetimet në Dhomën e Përfaqësuesve për ngritjen e akuzave për shkarkimin e presidentit Biden. Demokratët kanë bërë thirrje për mbylljen e hetimeve pas aktpadisë ndaj zotit Smirnov, ndërkohë që republikanët thanë se do të vazhdojnë “të ndjekin faktet.”

Hunter Biden pritet të japë dëshmi javën e ardhshme.

Ligjvënësit republikanë në Kongres kanë kërkuar nga FBI-ja që të publikojë listën e paredaktuar të akuzave. Ata pohuan se nuk mund të konfirmojnë vërtetësinë e akuzave./VOA

Top Channel

Read Entire Article