Rreth 100 milionë euro janë sekuestruar në gjashtë muajt e parë të vitit nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në të gjithë vendin.
Vetëm gjatë muajit qershor, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sekuestroi 50 milionë euro pasuri të disa subjekteve tregtare për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale’.
Ndërkohë që po në muajin e fundit, kjo prokurori sekuestroi edhe 10 milionë euro pasuri në llogari bankare në kuadër të hetimeve të skemës së mashtrimit të kredidhënies, administratorëve të subjekteve financiare.
Sekuestrime në vlera të mëdha monetare, nga 2 deri në 35 milionë euro, janë realizuar edhe nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në Fier e Vlorë.
Më konkretisht, Prokuroria Pranë gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, vendosi në sekuestro preventive në Himarë, pasuri të patundshme në vlerë totale prej 35 milionë eurosh. Pasuri të dyshuara se janë përfituar me dokumente të falsifikuara.
Ndërsa në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, vetëm në një nga hetimet e fundit të këtij institucioni u sekuestruan pasuri në vlerë 2 milionë euro të cilat dyshohej se buronin nga veprimtari kriminale.
Në të njëjtën linjë, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në Durrës, Elbasan, Sarandë, Lezhë, Gjirokastër dhe Korçë, kanë sekuestruar në gjashtë muajt e parë të këtij viti, pasuri të tjera të tundshme dhe të patundshme si prona, makina si dhe subjekte të ndryshme tregtare./vizionplus.tv