Për të dytën ditë radhazi punonjësit e institucioneve paralele serbe, të cilat u mbyllën nga qeveria e Kosovës, protestuan për rikthimin në punë në këto objekte.
Tubuesit, përfshirë punonjës të komunës paralele të Mitrovicës, deklaruan se tubimi i tyre është paqësor, ndërsa përsëritën se administrata e kësaj komune që Prishtina zyrtare e konsideron ilegale ka ofruar shërbime për të gjithë qytetarët.
“Siç e dini ky nuk është shërbim publik vetëm për serbët, sepse është në shërbim të të gjithë qytetarëve që jetojnë në këtë territor. Si punonjës i administratës komunale kam pasur rastin të takohem jo vetëm me serbët, por edhe shqiptarët dhe romët”, tha Vera Saviç, punëtore në komunat ilegale serbe.
“Ne kemi punuar për 25 vjet pa asnjë problem. Është e drejta jonë për të punuar, për të jetuar, për të lëvizur të lirë. Ndoshta kjo është një mundësi për t’i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të na japin një shpjegim për këtë situatë.”, deklaroi Sasha Petroviq, punëtor në komunat ilegale serbe.
I pranishëm në këtë protestë ishte edhe kryetari i Mitrovicës.
“Ata po na rrëzojnë tabelat, flamujt, hyjnë në institucionet tona, por nuk do të na lëkundin synimin për të jetuar në këto zona. Komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht flet për mbrojtjen e të drejtave dhe unë do të doja që ata të bëjnë diçka në përputhje me misionin e tyre.”, u shpreh Vuçina Jankoviç, kryetar i komunës ilegale të Mitrovicës
Vetëm disa ditë më parë policia e Kosovës mbylli institucionet paralele serbe si komunën e Mitrovicës, të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit./vizionplus.tv