Pse Luksemburgu është paradhoma e hyrjes së Shqipërisë në BE?

2 hours ago 14

Ylli Pata

Firmosja e kapitujve të librit me 33-35 të tillë, përbëjnë hapin e fundit politik për anëtarësimin e një vendi në BE, sipas kartës së Europës së sotme politike.

Në Ballkanin tonë Perëndimor, këtë hap e ka bërë vetëm Mali i Zi dhe Serbia. Ndërkaq, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë në një stat tjetër.

Mali i Zi ka firmosur 33 nga 35 kapituj, kurse Serbia ka firmosur 22 nga 33.

Ngecja e Malit të Zi në pjesën finale të periudhës së anëtarësimit, ka ndodhur pasi vendi u përfshi në probleme politike dhe gjeopolitike pas rënies së kabinetit të Dritan Abazoviçit.

Mali i Zi nuk ka arritur mazhorancën e duhur parlamentare për të zgjedhur anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, pasi mazhoranca parlamentare nuk ka qenë e tillë asnjëherë. Si pasojë e përplasjes së partive filoserbe dhe filoruse me Abazoviçin, ra edhe lidhja që fronti i përbashkët anti-Gjukanoviç kishte në vitin 2020.

Pra me fjalë të tjera ishte Mali i Zi, që bllokoi procesin e avancimit të anëtarësimit.

Ndërkaq Serbia që ka firmosur 22 kapituj nga 35, por ka ngecur për fajin e saj pikërisht në marrëdhëniet me Kosovën. E kjo është zgjidhje e Beogradit.

Me fjalë të tjera, ngecja e këtyre vendeve prej disa vitesh në proces, ka ardhur sepse vullneti i tyre nuk ka qenë për të avancuar procesin real, por për ta shtyrë. Madje e ka shtyrë aq shumë, si Serbia si Mali i Zi, sa mund të digjeshin etapat, e ishte Këshilli i BE që miratoi një vendim të posaçëm të anëtarësimit të Serbisë e Malit të Zi, si për t’i dhënë më shumë mudnësi Beogradit që të afrohet me Perëndimin, meqë është një vend me influencë të fortë ruse, të cilën në një masë të konsiderueshme e ka edhe Mali i Zi që është vend i NATO-s.

Për ta bërë më të thjeshtë situatën: kur shqiptari Dritan Abazoviç ishte kryeministër i Malit të Zi, ndaloi ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov që të përdorte hapësirën ajrore të vendit të tij për të vizituar Serbinë. Vendim që ishte determinant për të anuluar vizitën e Lavrov në Beograd në mes të luftës në Ukrainë.

Pas kësaj, në Podgoricë nisi lufta, apo më mirë ta quajmë “puçi i bardhë” ndaj Dritan Abazoviçit që më pas u rrëzua nga qeveria me një mocion mosbesimi në Parlament ku votat më të mëdha i kishte opozita e Gjukanoviç, por që e ndihmoi një aleat i grupit opozitar ndaj tij.

Kjo tregon se rasti i ngecjes së Malit të Zi dhe Serbisë, ka më shumë arsye gjeopolitike sesa teknike. Përndryshe, të dy vendet sot do ta kishin përmbyllur librin e negociatave.

Të vijmë te Shqipëria. Ne së bashku me Maqedoninë e Veriut, hapëm negociatat në vitin 2020 nën presidencën kroate, mjaft bujare dhe mbështetëse e fqinjëve të saj ballkanik.

Por Maqedonia e Veriut, pati dhe ka një problem të madh me Bullgarinë, problem që më shumë se Sofia, është e djathta maqedonase sot në pushtet që nuk ka dëshirë ta zgjidhë.

Ndaj edhe aleati i së djathtës maqedonase, Viktor Orban, më mirë loboi ta ndajë Tiranën me Shkupin. Një akt, që ka ardhur pas një lobimi të fortë të Edi Ramës prej vitesh.

Shqipëria sot, arriti me sukses të hyjë në një proces kur hapi zyrtarisht 8 kapitujt bazik të anëtarësimit në BE.

Përkatësisht Shqipëria hapi sot këto kapituj: Funksionimi i institucioneve demokratike, Reforma në administratën publike, Gjyqësori dhe të drejtat themelore, Drejtësia, liria dhe siguria, Kriteret ekonomike, Prokurimi publik, statistikat dhe kontrolli financiar.

Ndërkaq, Shqipëria, përpara se të hapë kapitujt i është nënshtruar procesit screening nga BE për të parë kapacitetet dhe vullnetin e Shqipërisë për të ecur përpara. Që është një përvojë, ku sipas të gjitha gjasave, i gjithë procesi nga sot nuk është politik.

Vetëm nëse qeveria e Tiranës çmendet dhe prish bazat e paktit me Europën. Ku dihet çështjet më të rëndësishme janë SPAK, drejtësia, e gjeopolitika.

Pas kësaj, a është e mundur që BE të mbarojë kapitujt në vitin 2030? Me Ramën kryeministër, kemi një histori kur Komisioni Europian ka hartuar raporte që janë faktike, të cilat kanë certefikuar rrugën e Tiranës drejt BE. E si pasojë, nëse në hapin e dytë pas ceremonisë së 2022 kaluan 8 kapituj, janë të gjitha mundësitë që në 5 vjet të siten të gjithë kapitujt. Natyrisht, sikur gjërat të shkojnë siç duhet.

Deri tani nuk ka asnjë problem politik, por thjesht screening nga Komisioni Europian. Nëse KE kalon, pra certifikon qeverinë shqiptare në kapitujt, a mund të ketë një vendim politik të vendeve antëtare që mund ta kundërshtojnë, apo edhe veto të një vendi anëtar, përshembull Greqia, Qipro apo edhe vend tjetër?

Deri tani, vendimi politik ka prevaluar kur situata ka qenë në hapat e parë, pra para dhënies së statusit kandidat apo hapjes së negociatave, ndryshe, nuk ka ndodhur. Por deri atëherë ka shumë ujra që mund të rrjedhin.

Read Entire Article