Publikohet video e shpërthimit në derën e agjencisë funerale, zbardhet ngjarja! Shkak, një borxh i pashlyer

2 months ago 34

Policia ka zbardhur ngjarjen e dy ditëve më parë në Shkodër, ku një sasi lënde eksplozive u vendos në derën e një agjencie funerale.

Mësohet se është identifikuar autori i vendosjes së lëndës eksplozive, i cili sipas policisë është shtetasi me iniciale B. P., 35 vjeç, me precedent penal për armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë, dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të një borxhi të pashlyer.

“Si rezultat i veprimeve intensive hetimore, identifikohet dhe shpallet në kërkim 35-vjeçari që dyshohet se hodhi lëndë plasëse, në derën e një agjencie funerale, ditën e djeshme.

35-vjeçari, me precedent penal për armëmbajtje pa leje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, si rezultat i veprimeve hetimore intensive të kryera për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme, në lagjen “Skenderbeg”, ku u hodh një sasi lënde plasëse në derën e agjencie funerale, kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të këtij rasti, shtetasin B. P., 35 vjeç.

Nga veprimet hetimore dyshohet se për shkak të një borxhi të pashlyer, ky shtetas ka hedhur në derën e agjencisë funerale në pronësi të bashkëshortëve F. F. dhe A. F., një sasi lënde plasëse, nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale.

Vijon puna për kapjen e 35-vjeçarit dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Read Entire Article