Një turist është goditur nga një mjet lundrues në zonën e Karaburunit.
Ngjarja ka ndodhur në Shën Jan dhe mësohet se gomonia po lundronte brenda kufirit të lejuar dhe kishte kaluar tapat kufizuese.
Turisti është dëmtuar në këmbë në pjesën e thembrës, të cilën helika ia ka dëmtuar totalisht.
Policia kufitare ka shkuar në vendngjarje dhe ka shoqëruar të dëmtuarin në spital si dhe ka marrë në pyetje drejtuesit e gomones.
“Sot, në Karaburun, një mjet lundrues tip gomone, me drejtues shtetasin F. T., gjatë ankorimit në molin e vjetër të ish-ushtrisë në gjirin e “Shën Janit”, aksidentalisht me helikën e mjetit lundrues ka dëmtuar në këmbë shtetasin A. K., 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili kishte zbritur nga një anije turistike në det afër këtij moli. (Nuk kemi të bëjmë me zonë plazhi).
56-vjeçari është transportuar për ndihmë mjekësore.
Mjeti lundrues është bllokuar nga shërbimet e Policisë Kufitare, ndërsa drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Polici për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor i DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, njofton policia.
/vizionplus.tv