Shqipëria u mund 2-1 nga Italia në “Signal Iduna Park” të Dortmundit mbrëmjen e djeshme.
Edhe pse kaluam të parët në avantazh që në sekondën e 24-ërt me anë të Bajramit, u treguam të pafuqishëm për të ruajtur rezultatin. Megjithatë, Bajrami realizoi golin më të shpejtë në historinë e Kampionatit Evropian.
Pas përfundimit të sfidës ai dha një prononcim për UEFA-n.
“Të shënosh për Shqipërinë në një kampionat Europian për mua ka qenë një ëndërr. E kam ëndërruar këtë që fëmijë dhe kam punuar shumë fort për këtë. Nuk e dija që shënova golin më të shpejtë në historinë e Evropianit, por duhet të vazhdoj ta mbaj. Në ditët në vijim ne duhet të përgatitemi për ndeshjen me Kroacinë”, deklaroi Bajrami.