Opozita ka rikthyer kaosin dhe tensionet në Kuvend, pas disa muajsh “paqe” që arriti me PS.
Sot në Kuvend, opozita tentoi të bllokonte seancën plenare, ndërsa jashtë saj qytetarë dhe mbështetës të grupimit të PD protestuan dhe u përplasën me policinë si dhe dogjën gomat.
Deputetja e PD Dhurata Çupi në një intervistë për edicionin e lajmeve në Vizion Plus me Roland Zilin tregoi arsyet pse opozita po i ndërmerr këto hapa.
Sipas saj, kryeministri Edi Rama refuzon të përgjigjet për investigimin e Rai 3, teksa shtoi se nuk po jep asnjë sqarim as para qytetarëve.
Intervista e plotë:
-Sot brenda dhe jashtë parlamentit pamë rikthimin e skenave të disa muajve më parë, a është fundi i paqes së arritur mes jush dhe socialistëve?
Ne kemi denoncuar nëq mënyrë të vazhdueshme krimin, korrupsionin, abuzimin me buxhetin dhe pronat dhe në Parlament ne bëjmë jetë parlamentare me debate. Opozita ka qenë gjithmonë në aksion. Kryeministri duhet të ishte në seancë dhe të jepte përgjigje për akuzat e rënda që janë publikuar në mediat ndërkombëtare, që edhe media shqiptare i ka pasur. Rasti i fundit na tregoi të dhëna trishtuese se si një kryeministër mund të abuzojë me pushtetin dhe të drejtën për të qeveriseur dhe për të korruptuar një shtet të tërë. Ai duhet të jepte llogari në parlament. Kemi një kryeministër që nuk jep llogari para deputetëve dhe para qytetarëve.
-Rama nuk do pranojë të jetë në një mocion me debat me opozitën. A mund të themi që do presim të njëjtat skena të aksionit opozitar edhe në seancën e ardhshme?
Për sa kohë kryeministri nuk pranon të respektojë Parlamentin në zbatim të rregullores dhe të përgjigjet para deputetëve e të japë llogari para shqiptarëve. Ishin të gjithë shqiptarët që dëgjuan të denoncime të forta në Rai 3. Një kryeministër që duhet të japë llogari dhe të japë përgjigje çdo denoncimi që bën opozita, media dhe qytetarët.
Qëndrimi juaj shkon edhe me qëndrimin që ju mbajtët për ngritjen e dy komisioneve, për dezinformimin dhe antikorrupsionin. Pse besoni që nuk ka nevojë për të tjera reforma për të afruar integrimin europian përmes luftës kundër korrupsionit…
Ne besojmë që është emergjente masat që duhet të marrë vendi jonë për të qenë pjesë e BE, por saë pari për luftën kundër korrupsionit apo ligjeve të porositura. Një opozitë nuk mund të votojë vendimet që merren në organet e PS. Në konferencat dhe propagandën para medias, thotë që duhet të bashkëpunojmë me opozitën dhe nga ana tjetër nuk ulet me opozitën për të diskutuar apo debatuar dhe tenton ta bëjë fakt të kryer. Janë dy standarte që nuk mund ti pranojë opozita. Të drejtat e pakicës për të dëgjuar kryeministrin duhet të respektohen./vizionplus.tv