Me një sërë kantieresh të hapur, me projekte rrugësh të reja apo rehabilitimin e të vjetrave, fondet që kërkohen nga buxheti janë në rritje.
Përkundër sa pritej, që buxheti i Ministrisë së Bujqësisë të shtohej pasi ishte i pamjaftueshëm për të mbuluar nevojat e një sektori që prej vitesh është në recesion, me rishikimin e dytë që ka pësuar buxheti ka ndodhur e kundërta.
“Kemi rritur financimet shtesë për Ministrinë e Bujqësisë me 500 milionë lekë për skemën e granteve të fermerëve”, tha ministri i Financave në daljen e tij të parë si ministër nga mbledhja e qeverisë.
Por me ndryshimet e zbardhura që tashmë kanë hyrë në fuqi, buxheti i ministrisë së Bujqësisë është ulur nga 14.1 miliardë lekë në 13.9 miliardë lekë. Ndërsa shtesa prej 500 milionë lekësh që pohoi ministri është rialokim i brendshëm i buxhetit të kësaj ministrie, ku janë ulur fondet për zhvillimin rural, dhe janë shtuar tek zëri i infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit.
E kundërta ka ndodhur me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, buxheti i së cilës është rritur me 7,2 miliardë lekë, ku 5.2 miliardë lekë i shtohen projekteve rrugore, dhe 2 miliardë lekë për furnizimin me ujë dhe kanalizime.
Me këtë rishikim të dytë janë shtuar edhe fondet për programin e rindërtimit, nga 7 miliardë lekë që ishin shkojnë në 9 miliardë lekë. Po ashtu i janë shtuar 1.4 miliardë lekë portofolit të Ministrisë së Brendshme që do të shpërndahen për kompensimin ushqimor të policive dhe për pagesën e orëve shtesë.
Me ndryshimin që pësoi buxheti, u rritën pritshmëritë për të ardhurat me 27 miliardë lekë, si dhe për shpenzimet po në të njëjtën vlerë. Të ardhurat për këtë vit planifikohet të arrijnë 714 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet në 771.3 miliardë lekë.