Inteligjenca Artificiale pritet që të “përqafohet” nga Kuvendi i Shqipërisë.
Përmes një tenderi, ky institucion ka kërkuar fonde për ndërtimin e një platforme të re, e cila të mund të transkriptojë fjalimet e deputetëve dhe çdo aktivitet tjetër parlamentar.
Përmes një shkrese, dërguar Prokurimit Publik, bëhet fjalë për një tender me një fond limit prej 74.5 milionë lekë për të blerë sistemin e transkriptimit të të dhënave audio- video të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, bazuar në inteligjencën artificiale si dhe shërbim mirëmbajtje 48 muaj.
“a-Blerje e sistemit të transkriptimit të të dhënave audio video të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, bazuar në inteligjencën artificiale, me vlerë fondi të përllogaritur në 41.420.000 (dyzet e një milion e katërqind e njëzet mijë) lekë pa Tvsh.
b-Mirëmbajtje për 48 (dyzet e tetë) muaj me vlerë fondi të përllogaritur deri në 33.164.800 (tridhjetë e tre milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e tetëqind) lekë pa TVSH, mbështetur në vlerën mujore të përllogaritur”, njofton Kuvendi.
Aplikimi i inteligjencës artificiale do të shtrihet edhe në institucione të tjera publike. Qeveria synon të përdorë inteligjencën artificiale në disa procese pune të administratës publike që kanë si synim përafrimin e disa aspekteve ligjore e rregullatore të kuadrit shqiptar me atë të Bashkimit Europian./vizionplus.tv