Ruajtja e 75 mijë vendeve të punës! Fasonët diskutojnë mbi organizimin e një proteste kombëtare, çfarë kërkojnë sipërmarrësit?

8 months ago 32
Reklamë

Sektori fason paralajmëron një protestë Kombëtare, për ruajtjen e 75 mijë vendeve të punës, në rast se shteti nuk do ta mbështesë përkohësisht për të dalë nga kriza me pasoja sociale për ekonominë.

Biznesmenë të këtij sektori dhe përfaqësues të punëtorëve janë mbledhur në Krujë për të diskutuar mbi situatën dhe hapat që do të ndërmarrin në bashkëpunim me sindikatat e punonjësve.

“Protesta kombëtare është kërkuar nga vetë punonjësit pasi po humbasin vendet e punës. Po flasim për sektorin manifakturë të veshjeve e këpucëve që ka mbi 75 mijë të punësuar e që ndodhet në krizën më të keqe. Bizneset kanë mungesë likujditeti dhe pamundësi për të paguar detyrimet që rrjedhin nga aktiviteti i tyre. Kursi i këmbimit e rritja e kostove, si dhe më së shumti indiferenca nga ana e qeverisë për t’u ulur në tryezë për të parë nga afër se si mund të amortizohet kjo humbje e bizneseve. Më kryesorja është impakti social. Në Krujë ku nuk ka aktivitete të tjera ekonomike ku do të shkojnë këta punonjës nëse dalin nga sistemi i punës”, tha sipërmarrësi, Edvin Prençe.

Pasojat e krizës janë ndjerë në këtë fillim viti me mbylljen e vendeve të punës në disa subjekte dhe mosmarrje pagash në kohë për disa të tjera.

“Flasim për një pandemi, vetëm në 48 orët e fundit 1100 vende pune të humbura, kryesisht gra, nëna. Nëse bllokohet ky sektor do kenë problematika që nga banka, transporti, lëndët e para etj”, shtoi ai.

Fasonët tregojnë se po përballen me problematika të shumta, ndërsa kërkojnë mbështetjen e qeverisë si një domosdoshmëri.

“Kam marrë kredi për këtë investim që është bashkëkohor dhe i përshtatet kërkesës së klientit. Ne kërkojmë që shteti të na bëjë bilancin e vitit të kaluar dhe të na shohë të ardhurat e sa mund t’i japim punëtorëve. A mundet ta përballojmë a jo? Po shkojmë drejt mbylljes. Nuk mund ta shtyjmë, veç 3-5 muaj”, tha sipërmarrësi Muharrem Hoçja.

“Është radha e shtetit që si një ortak i mirë që është të na ndihmojë tani që kemi nevojë. Biznesi ka nevojë tani. Përndryshe hajde t’i mbyllim e t’i dërgojmë të gjithë punëtorët në shtëpi. Çmimet që ne i japim porositësve me kostot e larta që përballojmë nuk i pranojnë”, tha një tjetër sipërmarrës.

“Këtë problemin tonë para një viti e pati ekonomia kineze dhe shteti atje subvencionoi pagat e punonjësve pasi kjo do të jepte efekt zinxhir. Jemi detyruar me o ta mbyllim, o të largohemi diku tjetër”, u shpreh një tjetër.

Ky sektor kërkon lehtësira fiskale dhe subvencionim përmes zbatimit të një plani kundër papunësisë dhe varfërisë.

Top Channel

Read Entire Article