Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia po zhvillon një armë bërthamore për përdorim në hapësirë kundër satelitëve.
Shpërthimi i një arme të tillë mund të shkatërrojnë gjithçka, që nga komunikimi ushtarak e deri tek shërbimet e komunikacionit, tha të martën një burim me dijeni për çështjen.
Burimi, i cili foli në kushte anonime, tha se sipas tij sistemi rus përfshinte një pajisje bërthamore shpërthyese të vendosur në orbitë.
Presidenti Vladimir Putin tha të martën se Rusia ishte kundër vendosjes së armëve bërthamore në hapësirë, ndërsa ministri i tij i mbrojtjes mohoi kategorikisht njoftimet se Rusia po zhvillonte aftësi bërthamore për përdorim në hapësirë.
Shtëpia e Bardhë dhe Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtarë nuk pranuan të komentojnë mbi këtë çështje.
Njoftimet rreth zhvillimit të mundshëm të armëve bërthamore hapësinore ruse dolën në pah pasi kryetari republikan i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, Mike Turner, lëshoi një deklaratë duke paralajmëruar për një “kërcënim serioz të sigurisë kombëtare”.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha të enjten se Shtetet e Bashkuara besojnë se sistemi që po zhvillohet nga Rusia do të shkelte një traktat që ndalon dislokimin në hapësirë të armëve të shkatërrimit në masë.
Traktati i vitit 1967 i ndalon vendet nënshkruese, përfshirë Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, që të vendosin “në orbitë rreth tokës çdo objekt që mban armë bërthamore ose çfarëdo lloj armësh të shkatërrimit në masë”.
Marrëdhëniet SHBA-Rusi janë të tendosura nga një mori çështjesh, ndër to agresioni i Moskës ndaj Ukrainës, i cili ka shkaktuar konfrontimin më të madh midis Perëndimit dhe Rusisë që nga kriza e vendosjes së raketave ruse në Kubë në vitit 1962.
Gazeta New York Times raportoi të shtunën, pa cituar burime, se javët e fundit ka qarkulluar një paralajmërim nga agjencitë amerikane të spiunazhit se Rusia mund të planifikojë një lëshim të ri sekret satelitor me qëllime ushtarake dhe se pyetja kryesore ishte nëse bëhej fjalë për armë bërthamore.
Agjencia e lajmeve Bloomberg njoftoi të martën se Rusia mund të vendosë në hapësirë një armë bërthamore ose një mbushje provë që në fillim të këtij viti.
Bloomberg citoi gjithashtu burime të paidentifikuara të kenë thënë se Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia nuk planifikon të shpërthejë një bombë, por se ekzistonte rreziku i një shpërthimi aksidental, çka do të çaktivizonte shumë satelitë.
Shtëpia e Bardhë dhe Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar nuk pranuan të komentojnë mbi raportin e agjencisë Bloomberg. /VOA
Top Channel