Presidenti Bajram Begaj ka folur në lidhje me samitin e paqes për Ukrainën që po mbahet në Zvicër dhe ka mbledhur liderë nga vende të ndryshme të botës.
Begaj shprehet se Shqipëria është e nderuar të marrë pjesë në këtë samit dhe thekson se agresioni rus është një shkelje flagrante e parimeve themelore të Kartës së OKB-së, një shkelje e hapur e ligjeve ndërkombëtare dhe një kërcënim për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian e më gjerë.
Lexo edhe :
Related Posts
Fjala e plotë e presidentit:
Shqipëria është e nderuar të marrë pjesë në këtë samit dhe e mbështet plotësisht synimin e tij.
Ky samit paraqet një tubim të rëndësishëm të kombeve me qëllimin e përbashkët për të gjetur një rrugë që, nga errësira e konfliktit, të na nxjerrë drejt dritës së paqes.
Agresioni rus ndaj Ukrainës ka shkaktuar humbje të mëdha në jetë njerëzish, shkatërrime dhe zhvendosje të popullsisë.
Kjo tragjedi njerëzore na shtyn ta shohim procesin e paqes jo si një ideal të largët, por si një domosdoshmëri të menjëhershme.
Është përgjegjësia jonë të hapim rrugën drejt paqes, duke siguruar që çdo hap t’i largohet luftës dhe konfliktit.
Agresioni rus është një shkelje flagrante e parimeve themelore të Kartës së OKB-së, një shkelje e hapur e ligjeve ndërkombëtare dhe një kërcënim për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian e më gjerë.
Sfida jonë është monumentale – të zhvillojmë një kuadër për një marrëveshje të ardhshme paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë.
Është jetike që këto shtete të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore brenda kufijve ndërkombëtarisht të njohur.
Shqipëria e ka dënuar fuqishëm agresionin rus. Ne mbajmë një qëndrim të qartë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës.
Shqipëria e konsideron formulën e paqes të Presidentit Zelenski si mënyrën për të rikthyer një paqe të drejtë e të qëndrueshme për Ukrainën.
Çdo proces paqeje duhet të drejtohet nga Ukraina.
Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën derisa të arrihet paqja, në përputhje me Kartën e OKB-së, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe duke përfshirë edhe përgjegjësinë për veprimet e Rusisë.
Rruga drejt paqes nuk duhet të jetë kurrë një rrugë dorëzimi. Ajo duhet të jetë një rrugë e ndërtuar me guximin për të mbajtur lart vlerat tona.
Ndërsa kërkojmë një zgjidhje, duhet të sigurojmë që mbështetja për Ukrainën të vazhdojë.
Ne jemi mbledhur këtu jo për të detyruar, por për të inkurajuar, jo për të imponuar, por për të propozuar rrugë drejt paqes, të cilat respektojnë interesat dhe integritetin e të gjithëve.
Së bashku, le ta transformojmë shpresën e sotme në paqen e së nesërmes! /vizionplus.tv