Jona Toska është një nga 19 713 maturantët që aplikuan në portalin u-albania me 10 degët preferenciale universitare dhe rezultatet e saj absolute në gjimnaz e renditën ndër të parat në listën e fituesve, duke i dhënë të drejtën të regjistrohet në degën që dëshiron duke e kthyer zyrtarisht nga sot në statusin e studentit.
“Unë zgjodha inxhinierinë sepse kam prirje. Më pëlqen shkenca, por edhe ka treg pune, por mbi të gjitha është mirë kur në jetë bën atë që do”, thotë ajo.
Regjistrimet në universitetet publike dhe private në vend për maturantët më të mirë kanë nisur nga kjo e premte e 30 gushtit, e do të zgjasin 15 ditë, duke përfunduar në 13 shtator.
Ata që janë në mëdyshje për degën, kanë mundësi çregjistrimi më 14-15 shtator, teksa mund të regjistrohen në raundin e dytë duke nisur nga 28 shtator.
Raundi i parë ka 7 faza 48-orëshe ku monitorimi bëhet në kohë reale në u-albania për degët fituese, e në rast se janë të përzgjedhur me shiritin jeshil ata paraqiten pranë sekretarive mësimore në Fakultetet që duan të regjistrohen me kartën e identitetit, diplomën e gjimnazit, listën e notave dhe dy fotografi me vete.
Shpresa ka edhe për maturantët të cilët nuk janë fitues në raundin e parë, të cilët mund të aplikojnë në raundin e dytë brenda tre ditëve nga 19-21 shtator, ku më 26 shtator do të jenë shpallur fituesit, që kanë të drejtë të regjistrohen deri në 7 tetor.
Nëse do të ketë sërish të pabindur për Fakultetin ku janë regjistruar, mundësia e fundit e çregjistrimit do të jetë nga 8-9 tetor dhe një fazë e lirë do të hapet nga 10-25 tetor për të gjitha Fakultetet ku kanë mbetur kuota të paplotësuara.
Për shkak të rënies së numrit të maturantëve, dhe vendeve më të shumta në numër në auditore se aplikantë, të fillosh rrugëtimin akademik është më e lehtë se më parë…/ tch