Sezoni i verës, por jo vetëm, kërkon një kujdes të shtuar për mirëmbajtjen e organizmit tonë.
Shpeshherë, dietat janë bërë shkak për një sërë problematikash shëndetësore, të cilat përdoren nga persona të ndryshëm në mënyrë vetjake dhe pa marrë këshillën e duhur nga ekspertë të fushës.
Dietologia Hyrida Basha e ftuar në studion e “7pa5” dha një sërë këshillash të vlefshme, për kujdesin që duhet të tregojmë.
Ajo tha se në regjimin tonë duhet të ketë sa më shumë fruta të stinës dhe perime, teksa shtoi se dietat detox nuk ekzistojnë. Ajo bëri apel për një regjim të balancuar dhe përdorimin e lëngjeve që bëhen në shtëpi.
“Ne mundohemi të vëmë në regjimin tonë sa më shumë fruta dhe perime. Nuk ekzistojnë dietat detox. Ka një regjim të balancuar. Duke qenë se jemi në verë na duhet të vendosim një balancë. Unë në verë përdor shumë një çaj të fermentuar. Mund të përdorim edhe çajin e boronicës ose frutave që kemi në shtëpi”, tha Hyrida Basha në “7pa5”.
Teksa vuri në pah vlerat ushqyese që mund të kenë lëngjet e ndryshme të frutave, dietologia tha se lëngu i portokallit nuk duhet të jetë opsioni i parë në këtë stinë, për shkak se ky frut sipas saj nuk i përket verës.
Ndërsa për ujin me limon dhe xhinxher, që shumë persona e përdorin për dobësim, dietologia kishte këtë mendim:
“Uji me limon dhe xhinxher. Të ndihmon të pastrohesh, por jo të dobësohesh. Për gjysëm ore shkon në tualet. Uji me limon mund të largojë toksinat, por nëse nuk e shoqëron me ushqim të shëndetshëm nuk ka efekt”.
Mëngjesi, si një nga vaktet më të rëndësishme, duhet të konsumohet çdo ditë. Se çfarë ushqimesh hamë, nuk ka rëndësi, mjafton që të ketë kombinime nga të gjitha llojet e ushqimeve.
“Nuk ka një mëngjes ideal. Mëngjesi është i rëndësishëm të konsumohet. Farat e chia me ujin bymehen dhe pastrojnë trupin. Pasi të hanë këtë, të konsumojnë mëngjesin. Çdo mëngjes duhet të jetë ndryshe dhe asnjë mëngjes nuk është i gabuar për aq kohë sa nuk është i dyqanit. Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm”, tha dietologia Hyrida Basha./vizionplus.tv