Shefi i NATO-s ngre alarmin gjatë takimit me Macron: Lidhjet e Rusisë me Korenë e Veriut, Iranin dhe Kinën kërcënojnë paqen në botë

1 day ago 27

Lidhjet e Rusisë me Korenë e Veriut, Iranin dhe Kinën “kërcënojnë paqen” në mbarë botën, ka thënë shefi i NATO-s, Mark Rutte.

Sipas mediave të huaja, komentet Rutte i bëri në një konferencë shtypi me presidentin francez Emmanuel Macron, shkruan A2 CNN.

Sekretari i Përgjithshëm tha se Rusia po vazhdonte “sulmin e saj kundër Ukrainës”, ndërkohë që është “duke u afruar gjithnjë e më shumë me aleatët e saj – Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut”.

“Pas dorëzimit të municioneve dhe raketave, Koreja e Veriut tani ka dërguar trupa për të luftuar dhe për të vdekur përkrah Rusisë në luftën e saj të paligjshme”, tha ai.

“Në këmbim, Rusia i siguron Koresë së Veriut financim dhe teknologji raketore. Kjo është shumë shqetësuese”, shtoi shefi i NATO-s.

“Këto raketa paraqesin një kërcënim të drejtpërdrejtë për SHBA-të, Evropën, rajonin Indo-Paqësor dhe për gjithë Euro-Atlantikun”, tha Rutte.

Rutte tha gjithashtu se ukrainasit plagosen dhe vriten çdo ditë nga dronët Shahed “të siguruar nga Irani”.

“Në të njëjtën kohë, Kina mbështet ekonominë e Rusisë, mundëson industrinë e saj të mbrojtjes dhe përforcon narrativën e saj në skenën botërore,” shtoi ai.

“Rusia duke punuar së bashku me Korenë e Veriut, Iranin dhe Kinën jo vetëm që kërcënon Evropën, ajo kërcënon paqen dhe sigurinë edhe në Indo-Paqësor dhe në Amerikën e Veriut”.

Ai vazhdoi duke thënë se mbështetja për Kievin duhet të vazhdojë pasi “Ukraina përgatitet të përballet me atë që mund të jetë dimri i tyre më i ashpër që nga viti 2022”.

/a.r

Read Entire Article