“Më 9 qershor të 2023, Lavrov…”/ Rusia ndihmoi në planifikimin e sulmit terrorist të Banjskës? Ja çfarë zbuloi raporti

18 hours ago 22

Sulmi terrorist i Banjskës që përshkallëzoi tensionet në veri të Kosovës mund tw ketw ndodhur me dijeninë e Rusisë, madje ky vend mund të ketë ndihmuar në planifikimin e ngjarjes së shtatorit të vitit të kaluar.

Kështu thuhet në raportin “Kosova në diskursin e politikës së jashtme ruse”, që u prezantua në kuadër të konferencës “Ndikimi i aktorëve të huaj në sigurinë kombëtare”, organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë. Sipas raportit, në javët para sulmit, zyrtarët rusë dolën vazhdimisht me paralajmërime të forta për një krizë të afërt në Kosovë, duke fajësuar Perëndimin për gjoja shtyrjen e rajonit drejt konflikteve, shkruan A2 CNN.

Jeta Loshaj, autore e raportit, u shpreh: “Më 9 qershor të 2023, Lavrov lëshoi një deklaratë duke thënë se do të ketë pasoja të paparashikueshme në Ballkanin Perëndimor nëse situata në Kosovë vazhdon të keqtrajtohet. Ndërsa disa ditë pas sulmit, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Zakharova, tha se gjithë kjo që ndodhi erdhi për shkak të veprimeve të Kurtit “për spastrim etnik të serbëve në Kosovë”.

Para së gjithash, në raport thuhet se Kosova është më shumë se thjesht çështje territoriale për Rusinë, por ajo është simbol gjeopolitik i rezistencës ndaj integrimit euroatlantik të Ballkanit Perëndimor. Kosovës i rekomandohet të forcojë aleancat me shtetet aleate, duke nisur edhe nga koordinimi i politikës së jashtme me Shqipërinë.

Pedagogia Hajdi Xhixha: “Kosova duhet t’i forcojë aleancat ballkanike. Për shembull, e mbështes shumë qëndrimin që të forcohen marrëdhëniet me Shqipërinë sepse mund të ndërtojmë një strategji të përbashkët për të minimizuar ndikimin e Rusisë në vendet tona”.

Kisha Ortodokse serbe, mediat, grupet e ekstremit të djathtë dhe deri diku institucionet serbe të sigurisë dhe të inteligjencës janë mjetet që përdor Rusia, përpos diplomacisë, për të luftuar Kosovën. Finlanda, që e ka përjetuar në lëkurën e saj dezinformatat ruse, është e gatshme të ofrojë gjithë ekspertizën për Kosovën në mënyrë që të ballafaqohet me ndikimin rus.

Matti Nissinen, ambasadori i Finlandës në Kosovë, theksoi: “Për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor integrimi në strukturat euroatlantike nuk është vetëm zgjidhje politike, por është edhe një masë jetike e sigurisë për një të ardhme më të sigurt. Finlanda i mbështet aspiratat e Kosovës për integrimin euroatlantik dhe është e gatshme t’i ndajë përvojat e saj në përballjen me luftën hibride”.

Rusia, u tha, se e sheh Kosovën nën prizma të ndryshëm, njëkohësisht si simbol i ndërhyrjes perëndimore, risk sigurie për Serbinë dhe precedent i krijuar në të drejtën ndërkombëtare.

Read Entire Article