Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, Rosen Zhelyazkov përcolli në Tiranë mesazhin se Sofja zyrtare mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjate një deklarate të përbahkët për shtyp me kryetaren e kuvendit Lindita Nikolla, kryetari i asamblesë kombëtare deklaroi se Bullgaria është pro hapjes së negociatave për kapitujt themelore për vendin tonë
“Shqipëria e ka përkrahjen e palëkundur të Bullgarisë pasi sipas nesh, procesi i integrimit duhet të bazohet mbi meritën dhe Shqipëria në këtë aspekt është kampione e rajonit ajo përmbush të gjitha detyrimet në politiken e jashtme”, tha kryeparlamentari bullgar.
“Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e qëndrueshme dhe të artikuluar qartë të Bullgarisë ndaj integrimit europian të Shqipërisë dhe bindjen se kjo mbështetje do të vijojë edhe gjatë procesit të negociatave. Rolin e Bullgarisë si përkrahëse e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE e konsiderojmë si një investim strategjik të BE-së dhe garanci për sigurinë e tij në të ardhmen, sidomos kur palë të treta po punojnë për të rritur ndikimin e tyre në rajon”, tha Nikolla.
Të dy kryeparlamentarët diskutuan edhe për marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve tona dhe nisjen e fluturimeve direkte Tirane-Sofje në fundin e këtij viti.
Kryeparlamentari Zhelyazkov takoi edhe presidentin e republikës Bajram Begaj me të cilin bisedoi për procesin e integrimit, marrëdhëniet mes dy vendeve dhe të drejtat e minoritetit bullgar. Nga ana e tij Kreu i Shtetit shqiptar garantoi se të drejtat e minoritetit bullgar në Shqipëri janë të garantuara dhe se në censusin e kryer është siguruar vullneti i lirë i vetëdeklarimit nëpërmjet një procesi të drejtë e transparent./vizionplus.tv