Si asnjëherë më parë, kërkesa për të blerë një shtëpi në Vlorë dhe Durrës është rritur ndjeshëm. Sipas ekspertëve kjo do të sjellë edhe një bum në ndërtim.
“Është hera e parë që kemi kërkesën dhe ofertën në disproporcion. më shumë kërkesë së ofertë. Ne do i kthehemi edhe njëherë fazës së parë të ndërtimit pasi ndërtimi sot, përveçse në banesa është edhe në hoteleri, por do ketë një bum edhe në këtë drejtim sepse ka shumë ndërtesa jo vetëm nga vlonjatët, por edhe italianë, gjermanë, amerikanë. Kemi çdo ditë kërkesa që duam të blejmë shtëpi”, tha për Vizion Plus kreu i dhomës së tregtisë dhe industrisë në Vlorë, Arben Breshani.
“Tashmë janë intensifikuar tefonatat dhe kërkesat për blerjen e apartamenteve . Zonat më të kërkuara Vollga dhe qendra e qytetit. Por pa harruar edhe vijën e parë dhe të dytë plazhit. Zona e Golemtit, Qerreti, aty janë rezidencat e reja dhe ka interes”, tha Florian Tahiri, administrator agjencie imobiliare.
Referuar çmimeve, ato nuk premtojnë ulje sipas Breshanit, duke variuar nga 800 deri në 2800 euro në zonat më të mira. Kjo pasi blerja e një shtëpie në Vlorë është kthyer edhe një biznes fitim prurës.
“Kërkesa e parë është që e blejnë për veten e tyre. Është rritur shumë edhe ideja për t’i pasur si biznes, sepse airbnb është bërë konkurrente, është kthyer në një farë biznesi blerja e banesave”, tha Breshani.
Edhe në Durrës situata e çmimeve është në të njëjtin nivel.
“Çmimet e apartamenteve kanë shënuar një rritje të lehtë, ku apartamente në qendër të qytetit shiten me 1000 deri 1200 euro për metër katror, ndërsa zona e Vollgës për apartamente në vijnë e parë me pamje nga deti shkojnë deri në 2000 euro”, tha Tahiri.
Ndërkohë shumë shpejt pritet të nisë edhe rivlerësimi i pronave që mund t’i japë zhvillim të mëtejshëm sektorit.